Shqipëria tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë/ 609 mijë të huaj vetëm në mars, pritet sezon rekord në verë
Marsi ka shënuar një rritje të ndjeshme të të huajve që kanë hyrë në territorin shqiptar.
Sipas INSTAT, ishin 609 mijë turistë, 10 për qind më shumë se një vit më parë, që vizituan qytete të ndryshme ose që takuan të afërm apo zhvilluan vizita mjekësore.
Në total, në tre muajt e parë të vitit, numri i turistëve preku 1 milion e 677 mijë shtetas, çka tregon se turizmi do të jetë sërish në rritje, pavarësisht krizës në Lindjen e Mesme.
Rritje kanë njohur edhe vizitorët nga Afrika, ndonëse me shifra ende të ulëta. Të ardhurit nga Amerika arritën në 13 mijë në mars. Megjithatë, turistët evropianë janë ata që mbizotërojnë, me 576 mijë të tillë, ku 90 për qind vijnë nga zona jugore e Evropës.
Por edhe shqiptarët kanë lëvizur më shumë. Raportohet se rreth 2 milionë kanë dalë nga territori për të vizituar shtete të tjera dhe po aq janë kthyer në atdhe.
Nga ana tjetër, operatorët turistikë shtojnë se flukset në rritje do të vijojnë edhe në muajt prill, maj dhe qershor. Më tej, ata theksojnë se korriku dhe gushti do të shënojnë sërish rekorde, duke u bazuar në prenotimet në hoteleri apo përmes platformave Booking dhe Airbnb.

