Portet turistike pa garë?/ Nisma e re për marinat 'ndez' debat të fortë, Sinaj: Ka filtra dhe kontroll të rreptë për investimet strategjike

Në një lidhje direkte për Ora News, deputetja e Partisë Socialiste, Zamira Sinaj, foli për nismën e re ligjore që synon zhvillimin e porteve dhe marinave turistike në vend, një propozim që ka hapur debat publik.

Sinaj e prezantoi nismën si një përpjekje për të bashkuar kuadrin ligjor dhe për të shmangur pengesat që, sipas saj, kanë bllokuar projekte të rëndësishme në turizëm.

Ajo u ndal te mungesa e infrastrukturës detare, sidomos në zona si Vlora, ku kërkesa është e lartë, por mundësitë mbeten të kufizuara.

“Propozimi synon të harmonizojë kuadrin ligjor për të garantuar unitetin e projekteve dhe zhvillimin real të turizmit. Infrastruktura detare në Shqipëri është ende e kufizuar dhe kjo ka sjellë edhe probleme në bregdet.”-tha Sinaj.

Debati është përqendruar te mënyra e dhënies së këtyre projekteve, pasi është ngritur shqetësimi se portet turistike mund të jepen pa garë.

Sinaj e cilësoi këtë si një keqkuptim, duke sqaruar se procedurat nuk anashkalojnë filtrat dhe kontrollin.

“Nuk bëhet fjalë për mungesë transparence. Statusi ‘investim strategjik’ kalon në një proces të rreptë vlerësimi, me kritere të qarta për interesin publik dhe ndikimin ekonomik.”-shtoi deputetja socialiste.

Sipas saj, pasi një projekt merr statusin strategjik, marrëdhënia me shtetin formalizohet me kontratë të detajuar dhe miratohet nga qeveria, ku përcaktohen detyrime konkrete për investitorin.

Në thelb, nisma synon të përshpejtojë realizimin e projekteve të mëdha në turizmin detar, ndërsa debati mbetet i hapur për mënyrën se si garantohet konkurrenca dhe transparenca.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: