Sula në Korçë: Sistem i unifikuar dhe modern inspektimi në të gjithë vendin

Inspektorati i Përgjithshëm, Dashnor Sula nisi në Korçë fazën e trajnimeve me temë “Forcimi i kapaciteteve të inspektorëve dhe kuadri ligjor dhe aftësitë praktike”, në kuadër të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve publike dhe forcimit të shtetit ligjor. Këto trajnime do të shtrihen në të gjitha qarqet e vendit.

Qëllimi kryesor i trajnimit është rritja e kapaciteteve profesionale të inspektorëve për zbatimin e njëtrajtshëm dhe efektiv të ligjit, përmes standardizimit të procedurave të inspektimit, përdorimit të sistemit “e‑Inspektimi”, si dhe përmirësimit të sistemit të rekrutimit, karrierës, vlerësimit dhe disiplinës.

Trajnimi synon gjithashtu forcimin e aftësive praktike në komunikim, menaxhimin e situatave të vështira dhe ndërtimin e marrëdhënieve profesionale me subjektet e inspektuara, duke e orientuar rolin e inspektorit edhe si këshillues dhe garant të procesit të drejtë.

Sula theksoi se reforma në inspektim bazohet në një filozofi të vetme inspektimi dhe një standard kombëtar, i cili zbatohet në mënyrë të barabartë në të gjithë territorin e vendit. Ai nënvizoi rëndësinë strategjike të reformës si një proces transformimi institucional dhe kulturor, në përputhje me standardet europiane.

Objektivat kryesore të reformës përfshijnë unifikimin e standardeve, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe orientimin drejt një sistemi modern, të bazuar në vlerësimin e riskut dhe teknologjinë.

Po ashtu u theksua se garantimi i standardit të inspektimit është një detyrë e panegociueshme, dhe ndërtimi i një sistemi inspektimi funksional e të besueshëm është interes i përbashkët i shtetit, biznesit dhe qytetarëve, duke kërkuar angazhim aktiv nga të gjithë aktorët e përfshirë.