Doganat: Nën hetim rasti i kontejnerit në Portin e Durrësit, dyshime për mallra që cenojnë pronësinë intelektuale
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave reagoi dje lidhur me publikimet në media për veprimet e strukturave doganore në Portin e Durrësit për një kontejner të ndaluar, duke sqaruar se kontrollet janë ushtruar në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Sipas njoftimit zyrtar, në bashkëpunim me strukturat e antikontrabandës është kryer kontroll mbi një kontejner të deklaruar me regjim tranziti, ku janë konstatuar mallra të dyshuara si cenuese të të drejtave të pronësisë intelektuale.
DPD thekson se, në zbatim të procedurave ligjore u vendos bllokimi i mallit, deri në mbërritjen e përgjigjes përfundimtare, nëse këto mallra rezultonin si cenuese të të drejtave të pronësisë intelektuale ose jo.
Në vijim, u mundësua vënia në dispozicion e një kontejneri bosh për magazinimin e mallrave, i cili u plumbos dhe u vendos në Zonën e Monitorimit.
Më pas ky kontejner është përdorur për të depozituar edhe dy bllokime të tjera lidhur me mallra të dyshuara si cenuese të së drejtave të pronësisë intelektuale, sipas procesverbaleve përkatëse.
Më datë 9 prill, pasi strukturat doganore mbaruan kontrollin e një deklarate tranziti, ku u gjetën sërish mallra të dyshuara si cenuese të të drejtave të pronësisë intelektuale, u vendos që këto mallra të depozitoheshin dhe të bllokoheshin tek ky kontejner, ku ishin të depozituara e bllokuara edhe sasitë e mëparshme. Gjatë këqyrjes u vu re se kontejneri nuk ndodhej në Zonën e Monitorimit.
Autoriteti Doganor menjëherë mori kontakt me Autoritetin Portual që menaxhon Terminalin e Kontenierëve dhe nga informacioni i dhënë rezultoi se mjeti (kontejneri) ishte imbarkuar në një anije kontejnerike të regjistruar në regjistrin e nisjeve si një kontejner bosh.
Në vijim, u kontaktua me përfaqësuesin e agjencisë detare, i cili ka bërë me dije se, kontejneri është imbarkuar në anije më 2 prill si kontejner bosh.
Sapo u mor dijeni, u fillua hetimi procedural nga strukturat e hetimit doganor dhe u administruan të gjithë dokumentet e kësaj procedure.
DPD bën të ditur se, kontejneri tashmë është kthyer në Portin e Durrësit dhe nga verifikimi paraprak ka rezultuar se nuk ka ndryshime në plumbosjen e tij. Kontejneri do të hapet nga strukturat e hetimit doganor dhe Prokuroria e Durrësit.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave thekson se është plotësisht e angazhuar për të bashkëpunuar me të gjithë organet kompetente për sqarimin ligjor të rrethanave për lëvizjen e mallrave të dyshuara si cenuese të së drejtave të pronësisë intelektuale, të bllokuara dhe plumbosura sipas procedurës përkatëse.
DPD shton se, krahas veprimeve të prokurorisë, në çdo rast do të vlerësohet edhe përgjegjësia disiplinore e doganierëve.

