"Qumështi që pimë nuk nis në fermë"/ Profesor Laçi tregon zinxhirin e plotë të prodhimit

Prodhimi i qumështit është një proces më kompleks sesa duket në pamje të parë dhe nuk fillon drejtpërdrejt në fermë.

Ai nis shumë më herët, me përzgjedhjen gjenetike të kafshëve, ku ndahen racat e dedikuara për prodhimin e qumështit dhe ato për mish.

Ky hap është baza e gjithë zinxhirit të prodhimit dhe ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e produktit final.

Në emisionin “Alert” në Ora News, i ftuar ishte profesor i mjekësisë veterinare në UBT, Dritan Laçi, i cili shpjegoi gjithë procesin e prodhimit të qumështit dhe hallkat që e shoqërojnë deri në konsum.

“Procesi nuk fillon te lopa në fermë, por shumë më herët, te përzgjedhja e racave dhe më pas te menaxhimi i tyre me standarde të caktuara.”-tha Laçi.

Sipas tij, një rol të rëndësishëm në këtë zinxhir kanë zo’teknikët, të cilët kujdesen për ushqimin e kafshëve sipas ciklit të laktacionit, moshës dhe kushteve të tyre biologjike.

Ushqimi i përshtatur ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e qumështit, përfshirë edhe përbërjen e yndyrës.

“Racionet ushqimore përshtaten sipas nevojave specifike të kafshëve dhe kjo ndikon në cilësinë e qumështit që prodhohet.”- shtoi profesori.

Një tjetër hallkë e rëndësishme është kontrolli veterinar, i cili siguron shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve në çdo fazë.

Sipas tij, kujdesi i vazhdueshëm krijon një cikël të qëndrueshëm prodhimi dhe një produkt më të sigurt për konsumatorin.

Në përfundim, prodhimi i qumështit përfshin një zinxhir të gjatë profesionalësh dhe kontrollesh, që nga përzgjedhja e kafshëve deri te produkti final në tryezë.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ALERT" NË ORA NEWS: