Tatimet: 641 aktmarrëveshje për pagesë me këste të detyrimeve të prapambetura

Gjatë vitit 2025, Administrata Tatimore trajtoi një total prej 756 kërkesash nga biznesi për lidhje aktmarrëveshjeje për pagesë me këste të detyrimeve tatimore të papaguara.

Nga 756 kërkesat, DPT bën të ditur se 120 janë refuzuar për mosplotësim të kritereve ligjore, të tilla si detyrime të papaguara në kontribute, tatim në burim, mungesë të deklaratave tatimore apo pasqyrave financiare, ose pasiguri në aftësinë paguese të tatimpaguesve.

Nga 641 kërkesa të aprovuara për lidhje aktmarrëveshjeje, 56 nuk janë lidhur në drejtoritë rajonale për shkak të tërheqjes së tatimpaguesit ose mospagesës së parapagimit 20%.

Në fund të vitit, 77 tatimpagues përmbushen pagesat sipas marrëveshjeve, ndërsa 391 të tjerë vazhdojnë të respektojnë planet e kësteve.

Sipas të dhënave zyrtare, vlera totale e kërkuar për të hyrë në marrëveshje për 641 tatimpagues është 4.37 miliardë lekë, prej të cilave janë arkëtuar parapagime 20% në shumën 912.5 milionë lekë. Vlera e detyrimeve tatimore për të cilat është lidhur aktmarrëveshja arrin 3.19 miliardë lekë.

Nga monitorimi, janë identifikuar 117 tatimpagues që nuk kanë respektuar pagesat sipas kësteve.

Të dhënat e publikuara nga DPT tregojnë se rajoni me më shumë kërkesa të miratuara është Tirana, me 252 aktmarrëveshje të lidhura, ndjekur nga Durrësi me 99 dhe Vlorë me 47.

Rajoni me përqindjen më të lartë të tatimpaguesve që kanë përmbushur aktmarrëveshjet është Dibra, ku 2 tatimpagues nga 16 të miratuar kanë përmbushur detyrimet sipas afateve.

Sektori i Operacioneve Financiare dhe Tatimore thekson se procesi i shqyrtimit ka përfshirë verifikimin e pagesave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ekstraktet bankare, kontrollin e deklaratave tatimore, rakordimin e shitjeve dhe blerjeve, si dhe historikun e aktmarrëveshjeve të mëparshme.

Ky process, sipas DPT-së, ka minimizuar ndjeshëm parregullsitë dhe ka përforcuar zbatimin e udhëzimeve të KLSH-së.

DPT vë në dukje se, megjithëse shumica e tatimpaguesve po respektojnë planet e kësteve, mbetet sfidë për përmbushjen e detyrimeve nga një grup i vogël i tatimpaguesve.