FOTO/ Një artist në strukturat e policisë: Ekspozita në “Publik Galeri”, projekt i shumëpritur
Me një pamje prej një “gjigandi të madh e të mirë”, si personazhi i rrëfenjave të Roald Dahl, Ardian Fezollari i shfaqet publikut në ekspozitën e radhës.
Ai është oficer i Policisë së Shtetit, nga më mediatikët, imazhi i të cilit vjen tek publiku njëkohësisht me aparatin fotografik që në një farë mënyre është shoku i tij i pandashëm.
I mësuar me kamerat e ndriçimin, sepse herë pas here shfaqet në media, Ardi, siç e njeh i tërë Pogradeci, ekspozoi së fundmi në një ekspozitë të veçantë, krahas kolegëve të policisë.
Punimet e tij u shfaqën për publikun në “Publik Galeri”, e ndërtuar në një pronë të konfiskuar nga aktivitetet kriminale, duke u shndërruar në një hapësirë publike në shërbim të komunitetit.

Ardian Fezollari tregon për ATSH-në se, ideja për të bërë një ekspozitë të kësaj natyre ka qenë e kahershme, por ai kishte imagjinuar një ekspozim më modest, në një rreth më të ngushtë, siç mund të ishte për shembull në ndonjë sallë të drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shtetit.
“Kjo është një nga gjërat e mira që më kanë ndodhur së fundmi. Fakti që ekspozova krahas tre kolegëve të nderuar por edhe sepse ndjeva një interesim të jashtëzakonshëm të gjithë strukturave të Ministrisë së Brendshme që ndoqën hap pas hapi realizimin e këtij projekti të bukur”, rrëfen ai për ATSH-në.

Ardi vlerëson se kjo ekspozitë ishte e nevojshme, për të treguar se edhe në radhët e policisë ka njerëz me shpirt të ndjeshëm, që dinë të përdorin jo vetëm pozicionin e tyre të punës për të vendosur rendin e sigurinë në vend.
Fotografitë e tij profesionale iu ofruan publikut së bashku me pikturat e tre punonjësve të tjerë të Policisë së Shtetit në “Publik Galeri”. Ekspozita e titulluar “Creatio ex ordine”, me 60 piktura e fotografi, përmban 15 punë të Ardian Fezollarit, një oficer karriere, që vepron prej 36 vjetësh në strukturat e Policisë së Shtetit.

Publiku e njeh Ardin pasi prej vitesh merr pjesë në ekspozita e konkurse dhe për të nuk kanë munguar as çmimet.
Fezollari ka mbaruar Akademinë e Policisë, me specializim në kriminalistikë. Ai e nisi karrierën që nga rolet bazë, si specialist krimesh, ekspert kriminalist, shef seksioni, shef sektori dhe aktualisht mbulon pozicionin e shefit të sektorit të Burimeve Njerëzore dhe Trajnimeve në Drejtorinë e Qarkut të Korçës.
Krahas ecjes në karrierë, ai u rrit edhe artistikisht, duke mbërthyer me objektivin e aparatit të tij bukuritë e natyrës shqiptare, e veçanërisht të zonës mes Pogradecit e Korçës.
Imazhet që solli Ardi në ekspozitën e fundit ishin të ndara në dy pjesë: periudha para viteve 2000 kur përdorej filmi si dhe pjesa me peizazhe të realizuara në të gjitha atraksionet turistike që ka Shqipëria.

Pjesa e fotove me film është trajtuar e gjitha në bardhezi dhe ka të bëjë me jetën e përditshme, me momente të ndara ndërmjet Beratit, Mokrës, Korçës etj. Fotot u përzgjodhën dhe u kuruan nga pedagogu i arteve, dr. Shpend Bengu, dhe krahas tyre edhe pikturat e Neritan Nallbatit, Idajet Faskajt dhe Edmond Rizajt, të gjithë oficerë pranë strukturave të policisë së shtetit.

