Një tjetër skemë merimangë/ Nga Veliaj te “5D”, dyshimet mbi Jet Bank
Jet Bank është institucioni më i ri bankar online ndaj të cilit ka pasur një sërë denoncimesh, të iniciuara nga deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi.
Prej javësh deputeti denoncon se ky institucion bankar është përfshirë në një skandal, pasi pas tij qëndrojnë njerëz që janë përfshirë në skemë mashtrimi.
Përmes dokumenteve, deputeti tregoi se shtetasi Oliver Hemmer, drejtor i kompanisë pronare me 71% të aksioneve të Jet Bank, është dënuar për ngritjen e një skeme mashtrimi përmes biznesit të “Call Center”-ave në vlerën e të paktën 200 milionë eurove që u kanë vjedhur shtetasve në vende si Austria, Gjermania, Italia dhe shtetasve britanikë.
Pas këtyre denoncimeve, Jet Bank “kërceu nga belaja” dhe doli me një sqarim për mediet, duke tentuar të pranojë se shtetasi Oliver Hemmer, mbi të cilin bëhet denoncimi i deputetit Këlliçi, ka qenë i përfshirë në procesin e regjistrimit të shoqërisë.
Banka e pranon se ai ka qenë i përfshirë, pavarësisht se përpiqet të theksojë se aktivitetet e paligjshme të zotit Hemmer nuk lidhen me veprimtarinë e Jet Bank.
CNA i ka shkuar më thellë investigimit duke zbuluar lidhjet e Jet Bank me kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, dhe dosjen “5D”. CNA ka zbuluar se njerëzit e propagandës së Jet Bank janë të lidhur me kompaninë “Gogel” të Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut të Tiranës, si dhe me njërin nga drejtorët e së famshmes dosje “5D”.
Si lidhet institucioni bankar Jet Bank me kompaninë “Gogel” të Arbër Veliajt? Drejtuesi i PR në Jet Bank është Bekim Shehu. Në një kërkim të thjeshtë në profilin e tij në Linkedln, rezulton se Shehu ka qenë pjesë e kompanisë “Gogel”, në pronësi të Arbër Veliajt, e cila është nën hetim nga SPAK-u.
I specializuar për strategji komunikimi, Bekim Shehu ka punuar në kompaninë “Gogel” për një periudhë gati 6-vjeçare, duke nisur nga shkurti 2020 deri në dhjetor të vitit 2025. Ndërsa tani drejton fushatën agresive të marketingut të Jet Bank, institucionit që ka aq shumë paqartësi për funksionimin dhe personat që e drejtojnë.
Po ashtu, CNA ka zbuluar gjatë investigimit se fijet shkojnë deri te Redi Molla, ish-drejtori i Veliajt në Bashkinë e Tiranës, që del në skemën e vjedhjes së tenderëve me kompaninë “5D”.
Këto janë të tjera hallka që ngrenë dyshime mbi Jet Bank, një institucion bankar që pretendon se është i licencuar nga Banka e Shqipërisë, i mbikëqyrur prej saj dhe vepron në përputhje të plotë me kuadrin ligjor shqiptar dhe standardet rregullatore ndërkombëtare për sektorin bankar, por, në fakt, pas saj qëndrojnë njerëz të dënuar për mashtrim dhe lidhje të tilla që shkojnë deri te kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj./ CNA

