Karamelo zbardh prapaskenat: Këto janë 4 pikat që “po mbajnë peng” marrëdhëniet Shqipëri-Greqi

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndonëse shpesh paraqiten nën një dritë pozitive diplomatike, mbeten të tensionuara nga një sërë çështjesh të pazgjidhura që datojnë prej dekadash.

Pavarësisht përpjekjeve të të dyja qeverive për të negociuar një traktat të ri miqësie dhe bashkëpunimi, për të zëvendësuar atë të vitit 1996, disa probleme thelbësore vazhdojnë të jenë pengesë, duke vepruar jo vetëm si pika ndarëse, por edhe si frena potenciale në rrugën evropiane të Shqipërisë.

Pikërisht lidhur me këto probleme, ish-deputeti , i cili është pjesë e minoritetit grek në Shqipëri, Ligoraq Karamelo foli në një intervistë për “Ora News”, ku në fokus ishte vizita në Greqi e kryeministrit Edi Rama, i cili u prit sot në një takim në Athinë nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Karamelo u shpreh se një nga nyjat më të ndërlikuara të marrëdhënieve mes dy vendeve është përcaktimi i kufirit detar. Pas një kalvari të gjatë politik, diplomatik dhe juridik, të dyja palët kanë rënë dakord në parim për ta dërguar çështjen në një gjykatë ndërkombëtare. Megjithatë, tha Karamelo, ky proces po zvarritet. Ndonëse në fasadë duket se ka progres, në themel çështja ka ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve mbi kriteret, kompetencat dhe detajet teknike, duke e lënë këtë mosmarrëveshje të rëndësishme pezull.

Po ashtu, Karamelo tha se një tjetër problem i trashëguar është Ligji i Luftës, i cili, ndonëse pa efekte praktike, mbetet një çështje e ndjeshme. Ky ligj, tha ai, shfrytëzohet shpesh nga rrymat ekstremiste në të dy anët e kufirit për të krijuar tensione dhe për të intensifikuar retorikën nacionaliste. Zgjidhja e tij përfundimtare shihet si një hap i domosdoshëm për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Çështja e minoritetit grek në Shqipëri është ndoshta pika më e nxehtë dhe komplekse. Ajo që duhet të ishte një urë lidhëse mes dy popujve, Karamelo tha se është edhe një pikë të vazhdueshme fërkimi.

PJESË NGA BISEDA

Ligoraq Karamelo: Problemet midis dy vendeve janë të shumta dhe në kuadrin e integrimit janë të pleksura dhe këto problemet që përmendëm pak më parë.

Dhe me sa jam në dijeni, të dy qeveritë po punojnë për nënshkrimin e një traktati ose një marrëveshje të përbashkët, ashtu siç ishte traktati i paqes dhe i bashkëpunimit i ‘96-ës, se meqenëse i ka kaluar afati dhe mund të bëhet një rinovim, pra të dy palët po përpiqen që në kuadrin e këtij traktati të zgjidhin dhe problemet e mbetura.

Dhe problemet e mbetura pezull midis dy vendeve janë, së pari njëherë është çështja e kufirit detar. Çështja e kufirit detar, e përcaktimit të kufirit detar, është një çështje që dihet që ka kaluar në një kalvar të gjatë politiko-diplomatik, juridik dhe të dy vendet tani kanë gjetur një zgjidhje të mirëpritur nga të dy palët për ta çuar në një gjykatë ndërkombëtare. Por fakti është që kjo po zvarritet. Dhe qoftë nga njëra palë, qoftë nga pala tjetër, po shprehet në aparencë, në fasadë duket sikur çështja ecën përpara, por në themel çështja nuk po ecën përpara, sepse kanë dalë mjaft pengesa që kanë të bëjnë me çështjet që lidhen me me përcaktimin e kritereve, të individëve, të kompetencave e me radhë.

Problemi i dytë që ka ngelur pezull janë çështjet që lidhen me ligjin e luftës, ku ligji i luftës aktualisht nuk ka efekte, është një ligj që nuk ka efekte, por që shpesh ai tani ka mbetur si një problem i varur midis dy vendeve dhe që si të thuash, një çengel ku përpiqen krahët ekstremistë të kapen për të, për ta, për ta intensifikuar dhe për të krijuar tensione. Unë mendoj se ndoshta edhe ky është një aspekt që në këtë marrëveshje që përpiqen të bëjnë, të zgjidhen dhe këtë problem.

Dhe çështjet e tjera kanë të bëjnë me çështjen e pasurive të shqiptarëve, çështjet e vjetra që lidhen me pronat e shqiptarëve, por çështja e tretë dhe që është edhe e rëndësishme, është edhe problemi i minoritetit grek në Shqipëri. Ku siç dihet që lidhur me problemin e minoritetit grek në Shqipëri ka një sërë çështjesh ende që kanë mbetur pezull. Sidomos kohët e fundit jemi të qartë që në lidhje me problemet e minoritetit është çështja e Himarës, që ka të bëjë jo vetëm me rastin e zgjedhjes së kryetarit të bashkisë, ku u dëshmua që në Shqipëri ka mungesë të theksuar të shtetit të së drejtës dhe probleme që lidhen me zbatimin e tij, por edhe çështjet e pronësisë. Ku siç dihet që në bregdetin e Himarës, një bregdet i lakmueshëm, aty kanë lindur një sërë problemesh me investitorë strategjikë, me tjetërsimin e pronave e me radhë, të cilat e kanë acaruar së tepërmi klimën. Dhe në këtë kuadër, unë do të thosha që është shumë e rëndësishme që qeveria shqiptare duhet të tregojë hapa konkrete. Sepse tashmë jemi vërtet të ndërgjegjshëm që Greqia është një, si të thuash, mbështetëse e sigurt dhe e gjithanshme e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por ajo nuk do ta mbyllë një sy, do bëjë një sy qorr dhe një vesh shurdhër kur të vijë problemi në aprovimin e hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sepse kapitulli që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat e njeriut është kapitulli thelbësor në çështjen e integrimit. Kështu që mendoj që këto probleme të cilat qëndrojnë varur, besoj që me dëshirën e mirë dhe me atë që dëgjuam sot, besoj që të ketë zgjidhjen e duhur.

Por gjithashtu, një problem mjaft i rëndësishëm mendoj midis dy vendeve, janë edhe intensifikimi i i marrëdhënieve ekonomike dhe sidomos ato që kanë të bëjnë jo vetëm me ekonominë, por edhe me turizmin. Fakt është që kemi parë kohët e fundit që ka pasur disa lëvizje pozitive dhe sot dëgjuam që do të nënshkruhet edhe një marrëveshje së afërmi lidhur me një korporatë të bashkëpunimit për çështjen e investimeve në të dy vendet. Edhe këto janë diçka pozitive.

Por një çështje shumë e rëndësishme që desha ta prek, është edhe çështja që kanë të bëjnë me një procesin e vetëdeklarimit. Procesi i vetëdeklarimit të të gjithë shtetasve shqiptarë sipas nenit të kushtetutës, sipas nenit 10 që çdo shtetas shqiptar është i lirë të deklarojë përkatësinë e tij etnike, fetare, gjyqësore, edhe ky ka krijuar një problem shumë të madh dhe në Bashkimin Evropian. Sepse qeveria Rama, për të mbyllur gojën e gjoja këtyre shteteve të interesuara për të pasur një regjistrim të gjithë minoriteteve në Shqipëri dhe zbatim të ligjit të minoriteteve, i cili për hir të së vërtetës nuk po zbatohet si duhet dhe ka mbetur thjesht në letër, pra është vetëm sa për t'u përmendur si një arritje në kuadrin e procesit të integrimit.

Fakt është që me një vendim që ka marrë qeveria për të bërë regjistrimin duke deklaruar secili dhe duke vendosur një komision i përbërë qeveritar se je apo nuk je anëtar i një komuniteti, i një minoriteti të caktuar. Kjo mendoj është një çështje shumë e prektë dhe që tashmë sapo ka filluar të dëgjohet në kancelaritë europiane, por në të ardhmen mendoj që do të jetë një pikë kyçe për sa i përket problemit të minoriteteve.

Kështu që në këtë kuadër, edhe premtimet që zoti Rama i ka bërë Greqisë për të zgjidhur këtë çështje në këtë mënyrë, mendoj që do të dështojnë pa pasur sinqeritetin, atë çiltërsinë dhe hapat e duhur konform Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe kartave ndërkombëtare për deklarimin e shtetasve për përkatësinë e tyre etnike, fetare, gjuhësore, kulturore.

Pra, zoti Karamelo, ju mendoni se çështja e minoriteteve, po aq sa një urë lidhëse, po themi, midis dy, dy vendeve, është edhe pikë ndarëse midis tyre?

Ligoraq Karamelo: Padyshim, po. Sado që përpiqemi të trajtojmë çështjen e minoriteteve si çështje që ka të bëjë si urë lidhëse. Padyshim që është urë lidhëse kur të dyja, kur palët punojnë në një drejtim pozitiv, me ambicie dhe me dëshirë pozitive për të zgjidhur problemet. Por dihet kalvari që ka kaluar minoriteti, minoriteti grek në Shqipëri. Dhe tashmë është rasti të përmendim, sepse u bënë rreth 32 vjet që nga arrestimi i pesë anëtarëve të minoritetit etnik grek të organizatës Omonia. Dhe dihet çfarë problemesh patën ato në impaktin midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë dhe jo vetëm midis tyre, por edhe përfshirja e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera për qëndrimet e qeverisë.

Prandaj mendoj që ky është një moment, siç e përmendët juve, që të dy shtetet duhet të punojnë, sepse nuk është vetëm thjesht urë lidhëse, por është edhe urë ndarëse.

Dhe për hir të së vërtetës duhet thënë që minoriteti, ne si anëtarë të minoritetit grek, e ndjejmë më të, si të thuash, më të nevojshme, më të domosdoshme çështjen e mbështetjes dhe përkrahjes të Greqisë. Sepse, në qoftë se Greqia tashmë po tregohet tolerante, për sa i përket dhe si të thuash, pozitive, dashamirëse për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, dhe nuk ka vënë asnjë kusht për sa i përket çështjes së minoriteteve.

NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE ME LIGORAQ KARAMELON