VR*SJA NË MEMALIAJ/ Policia jep DETAJET nga dinamika e ngjarjes, autori qëlloi për vd*kje 30-vjeçarin dhe plagosi vëllain e vet

Një person ka humbur jetën pas një ngjarjeje me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e sotme në Memaliaj.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:50, pas një konflikti mes disa personave.

Sipas të dhënave paraprake, 29-vjeçari Donald Nelaj ka qëlluar me armë zjarri shtetasin Endri Goxhaj, 30 vjeç.

Ky i fundit nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.

I plagosur ka mbetur edhe vëllai i autorit të dyshuar Dario Nelaj, një 25-vjeçar, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ende nuk dihen saktë rrethanat se si ai është përfshirë në ngjarje.

Pas të shtënave, autori i dyshuar është larguar nga vendi me automjet.

Policia është vënë në ndjekje për kapjen e tij dhe ka ngritur pika kontrolli në zonë.

Ndërkohë, është ngritur një grup hetimor për të sqaruar plotësisht ngjarjen dhe për të dokumentuar çdo detaj që lidhet me konfliktin dhe përdorimin e armës.