"Shqipëria me 'manual zjarri' të ’89-ës"/ Ish-zjarrfikësi Laçi: Alarm për jetën në ndërtesat e reja
Në emisionin “Epiqendër” në Ora News ishte i ftuar Alban Laçi, ish-zjarrfikës, i cili foli për gjendjen e sigurisë nga zjarri në vend dhe problematikat që, sipas tij dhe ekspertëve, mbeten të pazgjidhura prej vitesh.
Laçi ngriti shqetësimin për mënyrën si funksionon shërbimi zjarrfikës, duke nisur që nga momenti i njoftimit e deri te ndërhyrja në terren.
Sipas tij, shpesh informacioni për zjarret nuk mbërrin në kohë, pasi mungojnë sistemet e lidhura drejtpërdrejt me shërbimin.
“Qytetarët njoftojnë, por informacioni për zjarrin nuk mbërrin në kohën e duhur. Ne nuk kemi sisteme sinjalizimi të lidhura direkt me shërbimin zjarrfikës dhe kjo sjell vonesa.”-tha Laçi.
Ai përmendi edhe vështirësitë gjatë ndërhyrjes, ku në shumë raste ndërtesat nuk plotësojnë kushtet bazë të sigurisë, si dyert zjarrduruese apo elementët e mbrojtjes pasive.
Një tjetër problem lidhet me mungesën e terminologjisë së unifikuar në fushë, që krijon paqartësi mes projektuesve, zjarrfikësve dhe aktorëve të tjerë.
Në diskutim u prek edhe mungesa e trajnimit profesional për zjarrfikësit. Sipas ekspertëve, nuk ka një qendër të mirëfilltë formimi dhe literatura teknike është e vjetëruar.
“Literatura e fundit teknike është e vitit ’89 dhe nuk është azhornuar. Një zjarrfikës sot duhet të jetë i trajnuar dhe i mbrojtur, jo vetëm të mbështetet te sakrifica.”-shtoi ai
Laçi ngriti shqetësimin se shpesh projektet firmosen nga një person i vetëm, pa ndarje përgjegjësish sipas specializimeve, gjë që rrit rrezikun në rast incidentesh.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "EPIQENDËR" NË ORA NEWS:

