"Ligji me boshllëqe dhe zbatim i dobët"/ Eksperti Çavo: Sistemi funksionon në letër, por dështon në praktikë
Në studion e emisionit “Epiqendër” në Ora News ishte i ftuar eksperti Aleksandër Çavo, i cili foli për mangësitë në sistemin e mbrojtjes nga zjarri në Shqipëri dhe problemet që, sipas tij, kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.
Çavo ndaloi te debati publik i ditëve të fundit, duke e cilësuar të devijuar nga individë që, sipas tij, japin opinione pa bazë teknike dhe krijojnë konfuzion.
“Janë përhapur shumë informacione të pasakta që largojnë vëmendjen nga problemet reale. Mbrojtja nga zjarri nuk zgjidhet me opinione, por me ekspertizë dhe rregulla të qarta.”-tha ai.
Në fokus të diskutimit ishte kuadri ligjor. Sipas tij, ligji për mbrojtjen nga zjarri, i rishikuar në vitin 2015, ka boshllëqe dhe nuk mbështetet plotësisht nga aktet nënligjore, duke krijuar vështirësi në zbatim.
Ai sqaroi se ekziston një bazë ligjore, por mënyra si zbatohet në praktikë mbetet problematike dhe shpesh krijon paqartësi mes institucioneve dhe profesionistëve të fushës.
Në diskutim u theksua edhe mungesa e një shkolle të specializuar për zjarrfikësit, çka ndikon drejtpërdrejt në përgatitjen e tyre për ndërhyrje.
Ndërkohë, u ngrit edhe çështja e mirëmbajtjes së sistemeve të mbrojtjes nga zjarri dhe roli i faktorit njerëzor në parandalim dhe reagim.
“Nuk mjafton t’i instalosh sistemet. Ato duhet të mirëmbahen dhe njerëzit duhet të dinë si të reagojnë, sepse një zjarr në banesë del jashtë kontrollit për 3-4 minuta.”- u shpreh Çavo.
Ekspertët theksuan se, edhe kur sistemet janë të instaluara, mungesa e mirëmbajtjes dhe reagimi i gabuar i njerëzve mund të rrisin rrezikun. Në shumë raste, njoftimi i vonuar dhe mungesa e izolimit të zjarrit sjell pasoja më të rënda.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "EPIQENDËR" NË ORA NEWS:

