Ultimatum nga SHBA në orët e fundit të armëpushimit/ Trump: Pa negociata, rikthehet lufta. Irani ende pa konfirmim për bisedimet

Tensionet mes Donald Trump dhe Iranit mbeten të larta në prag të përfundimit të armëpushimit. Presidenti amerikan ka bërë të qartë se nuk ka në plan ta zgjasë marrëveshjen, duke paralajmëruar rikthimin e përplasjes nëse nuk nis dialogu.

Nga ana tjetër, sipas raportimeve, Mojtaba Khamenei ka dhënë miratimin që një delegacion iranian të marrë pjesë në bisedime me SHBA. Megjithatë, autoritetet në Islamabad bëjnë me dije se ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga Teherani për pjesëmarrjen.

Trump ka shtuar presionin ndaj Iranit duke kërkuar pranimin e negociatave për t’i dhënë fund konfliktit. Ai ka përmendur edhe monitorimin e objekteve bërthamore iraniane, ndërsa ka bërë thirrje për lirimin e tetë vajzave që, sipas tij, rrezikojnë të ekzekutohen para nisjes së bisedimeve.

Raundi i ri i negociatave pritet të mbahet të mërkurën në Islamabad. Delegacioni amerikan drejtohet nga JD Vance, ndërsa Pakistani vijon përpjekjet për të bindur Iranin të marrë pjesë.

Zyrtarët pakistanezë kanë kërkuar nga të dyja palët që të zgjasin armëpushimin dhe t’i japin përparësi diplomacisë, si rruga e vetme për të shmangur përshkallëzimin dhe për të arritur një marrëveshje.