BE përgatitet për krizë karburanti në aviacion, 'në lojë' ndarja e rezervave mes shteteve anëtare
Bashkimi Evropian po shqyrton masa për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me karburant për avionët, në rast të një krize në treg.
Apostolos Tzitzikostas bëri të ditur se vendet anëtare mund të duhet të ndajnë rezervat e tyre në situata të jashtëzakonshme.
Aktualisht, këto mekanizma funksionojnë mbi bazë vullnetare, por mund të kthehen në detyrim nëse situata e kërkon.
BE-ja mban stoqe emergjente të karburantit të aviacionit, të cilat mund të përdoren vetëm në raste të nevojshme. Çdo vendim për lirimin e këtyre rezervave duhet të merret në mënyrë transparente, për të shmangur ndikimin në treg.
Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian po shqyrton vendosjen e një niveli minimal të detyrueshëm për rezervat strategjike të karburantit për avionë në të gjitha shtetet anëtare.
Në fokus është edhe plani “AccelerateEU”, që pritet të prezantohet së shpejti dhe që parashikon krijimin e një strukture të re për monitorimin e tregut të karburantit, fillimisht për aviacionin.
Plani përfshin gjithashtu sigurimin e burimeve alternative të furnizimit për Evropën, përfshirë importin e karburantit Jet A nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

