Irani heziton të shkojë në negociata, akuza për mungesë serioziteti ndaj SHBA
Irani nuk ka marrë ende një vendim për pjesëmarrjen në raundin e ri të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara që pritet të zhvillohen në Islamabad.
Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, i cili ka bërë të ditur se çështja mbetet ende në diskutim dhe nuk ka një konfirmim për dërgimin e delegacionit.
Nga ana e Iranit ka shqetësime për zhvillimet e fundit, përfshirë bllokadën detare të vendosur nga SHBA ndaj porteve iraniane dhe sekuestrimin e një anijeje. Po ashtu, janë përmendur edhe paralajmërimet e Presidentit Donald Trump për goditje ndaj infrastrukturës iraniane.
Sipas qëndrimit të Teheranit, negociatat janë nisur me gatishmëri, por pala amerikane shihet si e paqëndrueshme në qëndrime. Për momentin nuk janë bërë publike kushtet që Irani mund të vendosë për t’u rikthyer në tryezën e bisedimeve.
