'Çmontohet' rrjeti i trafikut në Itali/ Arrestohen 5 persona, organizata drejtohej nga shqiptar dhe përdorte makina për shpërndarje çdo ditë

Policia italiane ka goditur një grup të organizuar që merrej me trafik dhe shpërndarje droge në zonën e Arezzo, duke arrestuar pesë persona, mes tyre dy shtetas shqiptarë dhe tre italianë.

Operacioni i koduar “Minerva” nisi më 18 prill dhe u mbyll sot, pas disa muajsh hetime. Një person u dërgua në burg, ndërsa katër të tjerë u lanë në arrest shtëpie.

Hetimi kishte nisur që në gusht 2025 dhe u mbështet në përgjime telefonike, vëzhgime dhe ndjekje në terren.

Nga të dhënat e mbledhura, rezulton se grupi drejtohej nga një shtetas shqiptar, i cili ndodhet në paraburgim. Organizata kishte ndërtuar një rrjet të strukturuar shpërndarjeje droge, kryesisht kokainë, hashash dhe marijuanë, në të gjithë provincën.

Shpërndarja bëhej çdo ditë, shpesh edhe me dërgesa në banesa, duke përdorur automjete të ndryshme. Përveç konsumatorëve, grupi furnizonte edhe shitës të vegjël lokalë, duke mbajtur aktiv rrjetin e mikro-trafikut në disa zona të qytetit, përfshirë Saione dhe Campo di Marte.

Sipas hetimit, rolet brenda grupit ishin të ndara qartë. Drejtuesi shqiptar menaxhonte aktivitetin, ndërsa tre italianët kryenin rolin e korrierëve, duke transportuar, ruajtur dhe paketuar lëndët narkotike.

 

Gjatë operacionit, policia sekuestroi peshore precize, materiale paketimi, telefona celularë dhe 1350 euro cash, që dyshohet se vijnë nga aktiviteti kriminal. U gjetën gjithashtu substanca të përdorura për përzierjen e drogës dhe mbetje lëndësh narkotike.

Tre persona ishin arrestuar edhe më herët në flagrancë gjatë hetimeve. Në përfundim, një nga të dyshuarit u dërgua në burg, tre të tjerë në arrest shtëpie, ndërsa një i pestë ishte tashmë në këtë masë për një çështje tjetër.