SHBA dhe Irani rikthehen në tryezë në Islamabad ndërsa armëpushimi po skadon
Negociatorët nga Irani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të mbërrijnë në Islamabad për një raund të dytë bisedimesh, në një moment kur armëpushimi mes palëve është drejt fundit.
Delegacioni amerikan pritet të drejtohet nga JD Vance, së bashku me të dërguarit e Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Nga pala iraniane, bisedimet do të udhëhiqen nga Mohammad Bagher Ghalibaf.
Armëpushimi dyjavor i ndërmjetësuar nga Pakistani pritet të skadojë së shpejti, ndërsa raundi i parë i bisedimeve nuk solli rezultat. Situata u tensionua më tej pas vendimit të SHBA-së për të vendosur bllokadë ushtarake ndaj porteve iraniane, një veprim që Teherani e konsideron shkelje të marrëveshjes.
Nga Uashingtoni janë dhënë sinjale se nuk ka plan për zgjatjen e armëpushimit nëse nuk arrihet një marrëveshje. Ndërkohë, nga Teherani vjen një qëndrim i fortë, me paralajmërime për opsione të reja në rast përshkallëzimi.
Megjithatë, përpjekjet diplomatike vijojnë. Shtete si Pakistani, Egjipti dhe Turqia kanë ndërhyrë për të mbajtur të hapur dialogun, duke shtyrë palët drejt tryezës së bisedimeve në një moment kritik për zhvillimet në rajon.

