BIEN KARBURANTET RRITEN BURSAT/ Rinisja e negociatave me Iranin çliron ekonominë, rritet vlera e kompanive të IA

Çmimet e karburanteve ranë këtë të martë pas lajmeve të rinisjes së bisedimeve mes SHBA dhe Iranit. Situata u paraqit pozitiv në tregun e bursave ku vleën më të lartë e njohën aksionet e kompanive të inteligjencës artificiale

Zhvillimet në lindjen e mesme ndikojnë në mënyrë të menjëhershme jo vetëm në tregun e karburanteve por dhe në aksionet në bursë apo dhe në vlerën e monedhave.

Çmimet e naftës ranë mbi 1 dollar të martën, duke përmbysur situatën e një dite më parë. reagimi erdhi pas lajmit mbi rinisjen e bisedimeve të paqes.

Irani po shqyrton mundësinë e pjesëmarrjes në negociatat që parashikohen të mbahen në Pakistan.

Sipas ekspertëve ndërkombëtarë nëse ndërprerjet në ngushticë vazhdojnë për një muaj tjetër, humbjet totale mund të rriten në rreth 1.3 miliardë fuçi, me çmimet që ka të ngjarë të jenë afër 110 dollarëve në tremujorin e dytë të vitit 2026 ndërsa kërkesa për naftë ka rënë tashmë me 3 për qind.

Gjithësesi mundësia për negociata ka ndikuar edhe në bursa me një rritje prej 1.1 për qind.

Shtesën më të lartë kanë njohur kompanitë e inteligjencës artificiale me gati 4.8 për qind. Madje vlera e aksioneve të një kompanie të prodhimit të çipave njohu një shtesë prej 60 për qind të vlerës.

Madje deklaratat për negociata paqeje kanë sjellë efekt pozitiv edhe tek dollari amerikan. Pas rënies së një dite më parë u shënua një vleë më e lartë kundrejt euros apo dhe monedhave të tjera deri në 0.15 për qind.

Megjithatë ekspertët shtojnë se janë zhvillimet e ditës ato që do të japin një reagim të menjëhershëm, ku një zgjatje e armëpushimit do të pasohet me një çlirim të mëtejshëm të ekonomisë por rikthimi i krizës do të ketë efektin e kundër.

Sa i përket diplomacisë palët shprehen të gatshme për negociata në Pakistan, por pa dhënë konkluzione përfundimtare mbi atë çka do të firmoset në tryezë