‘Zemra mu copëtua’, rrëfimi i nënës së mësuesit nga Devolli

Opinioni publik është tronditur nga vdekja e papritur e Alban Bejlerit, mësuesit 55-vjeçar nga Devolli, i cili u shndërrua në simbol të sakrificës dhe përkushtimit. Për shtatë vite me radhë, ai përshkonte çdo ditë një rrugë të vështirë pesëorëshe në këmbë, në shi dhe borë, për t'u dhënë mësim vetëm dy nxënësve në fshatin e largët Marjan të Maliqit.

Mësuesi hero u gjet pa jetë në rrugën që merrte përditë, pas shtatë orësh kërkimesh intensive nga familjarët dhe banorët e zonës. Tragjedia është bërë edhe më prekëse pas një mesazhi rrëqethës të publikuar nga nëna e tij, e cila ka ndarë dhimbjen e pamasë dhe momentet e fundit me të birin.

"Lotët nuk më mbahen, zemra m'u copëtua për dritën e syrit," shkruan ajo, duke kujtuar bisedën e fundit telefonike në mëngjesin e ditës fatale. "'Zemra e mamit, deri ku je?', e kishte pyetur ajo. 'Mbërrita mamushi, mos ki merak,' ishte përgjigjur Albani, pa e ditur se do të ishin fjalët e tij të fundit për të.

Nëna e tij tregon se, pavarësisht se vuante nga tensioni i lartë dhe diabeti, Albani kurrë nuk u ankua për rrugën e gjatë apo vështirësitë. Përkushtimi i tij shkonte përtej detyrës; ai u kishte siguruar dy nxënësve të tij edhe laptop dhe kompjuter, "që të ishin të përgatitur për jetën".

Humbja e tij ka lënë një zbrazëti të madhe te familja. "Po nuk të erdhi keq për mamin e babin, për dy djemtë Enesin & Anisin, për motrën... për gruan tënde Blerinën, që i le një barrë të rëndë?" pyet ajo me zemër të thyer, duke shprehur dhimbjen që ka pllakosur familjen.

Alban Bejleri, "komisari i diturisë" siç e quan e ëma, ra në krye të detyrës, duke lënë pas një trashëgimi fisnikërie dhe pasioni për arsimin. Mesazhi i nënës së tij mbyllet me fjalë krenarie dhe një lamtumirë të dhimbshme: "Jemi dhe do të jemi krenarë gjithë jetën për trimin e yllin tonë, Albanin, që na ndriçon lart në qiell! Të qoftë dheu i lehtë, o shpirt!"