Gratë me shami alarmuan prindërit, reagon Policia e Shtetit: Janë iraniane, por ...
Prej disa ditësh në rrjetet sociale qarkullojnë disa video ku shfaqen gra të mbuluara me shami të cilat u afrohen fëmijëve të mitur.
Kjo situatë ka alarmuar prindërit, duke shprehur shqetësimet e tyre, ndërsa sot reagoi Policia e Shtetit duke thënë se gratë janë shoqëruar dhe pas verifikimeve ka rezultuar se nuk kanë kryer veprime të kundërligjshme ndaj të miturve.
Reagimi i Policisë së Shtetit:
Duke marrë shkas nga një lajmin i publikuar në rrjetet sociale, ku pretendohej se disa gra të mbuluara komunikonin në mënyrë të dyshimtë me të mitur, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit nisën menjëherë me iniciativë, verifikimet dhe hetimet përkatëse.
Si rezultat i veprimeve të kryera, u bë i mundur identifikimi i dy shtetaseve që shfaqen në videon e publikuar.
Shtetaset, me inicialet M. G. dhe A. G., u shoqëruan më datë 21.04.2026 në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Nga verifikimet e deritanishme rezulton se këto shtetase janë me shtetësi iraniane dhe janë të pajisura me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, për arsye humanitare.
Në përfundim të veprimeve hetimore paraprake, nuk ka rezultuar që këto shtetase të kenë kryer veprime të kundërligjshme ndaj të miturve.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se, në këtë rast, nuk ekziston asnjë rrezik për sigurinë e të miturve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vlerësim dhe ndjekje të mëtejshme.

