Komisioni parlamentar mban një minutë heshtje për mësuesin që ndërroi jetë në krye të detyrës, Alban Bejleri! Boçi: Jo një humbje natyrale, por ...

Komisioni i Arsimit, nën drejtimin e nënkryetarit të Partisë Demokratike, Luciano Boçi, zhvilloi një seancë dëgjimore me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, lidhur me projektligjin për AKSHA-n. Por përpara nisjes së diskutimit, vëmendja u zhvendos tek një ngjarje tragjike që ka prekur komunitetin arsimor.

Komisioni parlamentar mban një minutë heshtje për mësuesin

Boçi ngriti shqetësimin për ndarjen nga jeta të mësuesit Alban Bejleri, duke e cilësuar rastin si simbol të një realiteti të rëndë që përballin mësuesit në zonat rurale. Ai theksoi se Bejleri përshkonte çdo ditë rreth 8 kilometra në kushte të vështira për të dhënë mësim për vetëm dy nxënës në shkollën e fshatit Marjan, duke udhëtuar nga Lozhani.

“Nuk është thjesht një vdekje në krye të detyrës, por një vrasje e ngadaltë dhe tinzare që sistemi i bën mësuesve,” u shpreh Boçi, duke akuzuar institucionet për neglizhencë dhe mungesë mbështetjeje ndaj figurës së mësuesit.

Sipas tij, rasti i Bejlerit nuk është i izoluar, por përfaqëson sakrificat e përditshme të shumë mësuesve që punojnë në kushte të vështira, shpesh larg vëmendjes publike. Ai kritikoi gjithashtu mungesën e reagimit institucional, duke theksuar se Ministria e Arsimit nuk ka bërë asnjë deklaratë publike për këtë rast.

Komisioni parlamentar mban një minutë heshtje për mësuesin

Boçi ngriti pyetje mbi ndërgjegjen institucionale përballë kësaj tragjedie dhe kërkoi një vlerësim konkret për punën dhe përkushtimin e mësuesit, duke nënvizuar se figura e mësuesit duhet të vendoset në piedestalin që meriton.

Në përfundim të fjalës së tij, ai i ftoi anëtarët e komisionit të mbajnë një minutë heshtje në nderim të mësuesit Alban Bejleri.