Zjarri masiv në Bushat, prefektja e Shkodrës: Vatra është e izoluar dhe s’ka rrezik përhapjeje te banesat
Zjarri i rënë në vend-depozitimin e mbetjeve urbane në Bushat, Shkodër, vazhdon të jetë aktiv, ndonëse situata paraqitet më e stabilizuar krahasuar me një ditë më parë.
Në një komunikim për “Ora News”, Prefektja e Qarkut të Shkodrës, Holta Duda, ka dhënë detaje mbi operacionin për shuarjen e flakëve dhe vështirësitë me të cilat po përballen forcat zjarrfikëse.
Sipas prefektes Duda, vatra e zjarrit është e izoluar dhe nuk ka rrezik përhapjeje te banesat përreth. Megjithatë, shuarja e plotë e tij vështirësohet për shkak të specifikave të terrenit dhe materialit që digjet, pra mbetjeve urbane.
“Përveç specifikave të vendit ku ka ndodhur rënia e zjarrit, është e vështirë që të shuhet për shkak të kushteve të cilat po i favorizon edhe era,” tha ajo.
Në terren po punohet me mjete të tonazhit të rëndë, si eskavatorë dhe kamionë, ndërsa ndryshimi i drejtimit të erës ka mundësuar një ndërhyrje më efikase nga pjesa e sipërme e vatrës.
Forcat zjarrfikëse kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës dhe operacioni vijon me intensitet të lartë. Për shkak të tymit të dendur dhe toksik që çlirohet nga djegia e mbeturinave, po bëhet ndërrimi i turneve të efektivëve për të reduktuar ekspozimin e tyre ndaj rrezikut.
Lidhur me shkaqet e rënies së zjarrit, Prefektja Duda bëri të ditur se hetimet kanë nisur menjëherë. Ndonëse indiciet e para nuk flasin për një zjarrvënie të qëllimshme, një grup hetimor është ngritur dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. “Nuk ka ndonjë dyshim për arsye të zjarrvënies së qëllimshme, megjithatë grupi hetimor është ngritur dhe pritet deklarata përfundimtare”, theksoi Duda.
Alarmi u dha nga një punonjës i landfillit sapo u shfaq tymi i parë, por flakët u përhapën me shpejtësi.
Problemi kryesor për banorët e zonës përreth mbetet tymi dhe era e rëndë. Vatra e zjarrit është e izoluar dhe nuk ka pasur asnjëherë rrezik për banesat, por ndotja e ajrit vijon të jetë shqetësuese. Përpjekjet tani janë përqendruar në shuarjen e plotë të djegies së mbetjeve për të finalizuar operacionin dhe për t'i dhënë fund ndotjes.
PRONONCIMI I PLOTË I PREFEKTES SË SHKODRËS

