Spiropali nën “lupën” e socialistëve, Balla: Në fund të korrikut bëhet analiza e performancës për çdo deputet
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë të ditur se në fund të muajit korrik, me përfundimin e sesionit parlamentar, do të bëhet një analizë e performancës për të gjithë deputetët e mazhorancës, përfshirë edhe ministren Elisa Spiropali.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me një vendimmarrje të mundshme për Spiropalin, pas qëndrimeve të saj kritike në rrjetet sociale, Balla theksoi se ky është një proces rutinë dhe jo një masë specifike ndaj ministres.
"Për performancën e çdo deputeti të Partisë Socialiste është rregull. Unë kam 21 vjet në këtë grup parlamentar, atëherë bëhet një vlerësim i performancës së secilit, ku padyshim pastaj kërkohet përmirësimi i punës", deklaroi Balla, duke shtuar se ky rregull ekziston në çdo grup parlamentar europian. Ai gjithashtu pohoi se kritikat që ministrja Spiropali i adreson në rrjetet sociale, nuk i ka shprehur gjatë mbledhjeve të grupit parlamentar socialist.
Në vijim të komunikimit me mediat, Balla u ndal edhe te procesi i rienergjizimit të Partisë Socialiste. Ai e përshkroi këtë si një fazë të një komunikimi të gjerë me publikun, që ecën paralelisht me rritjen e partisë përmes anëtarësimeve të reja. Sipas tij, procesi po ecën sipas pritshmërive dhe ka një numër të konsiderueshëm anëtarësimesh të reja.
Duke e lidhur këtë proces me aspiratën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, Balla u bëri thirrje të rinjve e të rejave që t'i bashkohen Partisë Socialiste.
"Thirrja ime është për të gjithë ata të rinj e të reja që duan të japin një kontribut në këtë fazë historike të përmbylljes së aspiratës tonë për ta parë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, që t'i bashkohen Partisë Socialiste si i vetmi instrument në duart e tyre për t'i dhënë fuqi këtij procesi dhe përfaqësimit të tyre", u shpreh ai.

