Frikacaku që nuk shkon në gjykatë

Gazetari i familjes Veliaj, Mero Baze, në një nga paçavuret e shkruara së fundi, vijon sulmin ndaj prokurorit Ols Dado në lidhje me çështjen “Veliaj”, duke rikthyer në skenë Nesti Angonin dhe një kallëzues të dytë me emrin Nasta Pëllumbi nga “Lëvizja qytetare antikorrupsion”.

Mero Baze shkon me tezën se s’ka fakte dhe prova për veprat e rënda dhe akuzat që janë ngritur ndaj Erion Veliajt, sipas tij, janë të fabrikuara nga kallëzues anonimë dhe hedhin poshtë pretendimet e prokurorit Ols Dado se kryebashkiaku i arrestuar po zvarrit procesin.

E vërteta është e thjeshtë.

Kjo është e faktuar, pasi prej 237 ditësh nuk ka nxjerrë dokumentin për akuzën që ai bashkë me Veliajn bëjnë ndaj prokurorit Ols Dado se ka nisur hetimet për çështjen se si nuk i është dhënë leje për një shtesë që, sipas tyre, e ka kërkuar prokurori. Asnjë dokument që nga fabrikimi i këtij mashtrimi.

Sulmet që bëhen ndaj prokurorit dhe drejtësisë nga mediat e Veliajt përfundojnë në raporte për të cilat lobohet duke paguar 220 mijë dollarë dhe dërgohen në Departamentin e Drejtësisë në SHBA.

Fabrikohen mashtrime të njëpasnjëshme, të cilat janë rrëzuar një për një duke nisur nga më qesharakja se prokurori Ols Dado është një aktivist i PD-së, në një kohë kur më shumë se prej një viti kreu i kësaj partie është akuzuar dhe ka një çështje të hapur ndaj tij në SPAK.

Për të kuptuar këto lajthitje, mjafton të kujtojmë të vërtetën se Mero Baze është i paguar nga Veliaj. Kaq mjafton për të kuptuar sulmet ndaj drejtësisë dhe prokurorit.

Pa folur që Mero Baze ishte një brekëgrisur që u zu me Berishën për pazare tenderësh dhe tani është bërë miliarder me pushtetin e rilindjes.

Për të kuptuar thelbin, nuk ka rëndësi se kush e ka bërë kallëzimin, Nesti Angoni apo siç thotë gazetari i familjes Veliaj, Nasta Pëllumbi.

Janë dorëzuar mbi 60 mijë faqe me prova dhe fakte, të cilat provojnë 13 akuzat dhe veprat penale të kryera nga Veliaj.

9 herë korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim i produkteve të veprës penale, fshehje pasurie, futja e sendeve të ndaluara në qeli.

Kjo është ajo që duan të dinë njerëzit. Çfarë provash të tjera kërkohen?

Ligji e ka përcaktuar, edhe me kallëzues anonimë fillon hetimi. Në rastin e Veliajt fakti është se janë gjetur provat dhe faktet që i është ngritur një akuzë penale.

Dhe në të vërtetë, çështja e Erion Veliajt është zbërthyer nga telefoni i Adela Kondakçiut, një skemë të cilën CNA e ka bërë publike, ashtu siç ka bërë publike edhe shumë fakte të tjera se si intimidoheshin dëshmitarët për të kyçur gojën para drejtësisë.

Nëse Veliaj nuk kishte asnjë “faj” dhe nuk kishte kryer asnjë vepër penale, pse e çoi Klotilda Bushkën bashkë me Ajola Xoxën të merrnin telefonin e Ina Goxhajt? Për çfarë arsye? Çfarë kishte në atë telefon?

Akuzat ndaj Veliajt nuk mund të thuhet se janë gënjeshtra dhe se janë të fabrikuara nga Ols Dado.

Kush është Ols Dado që të fabrikojë akuzat? Pretendimet e gazetarit të familjes Veliaj, Mero Baze, janë absurde. Kujtojmë faktin se në çështjen e Veliajt prokuror nuk është vetëm Ols Dado, të cilin e anatemojnë e sulmojnë, por është edhe prokurori Altin Dumani.

Nëse Ols Dado na qenka çmendur, çfarë mund të thonë për Altin Dumanin? Si mund të jenë dy prokurorë të çmendur për t’i fabrikuar Erion Veliajt akuza? Pse duhet ta bëjnë këtë?

Si mundet të fabrikojnë dy prokurorë akuza ndaj një kryebashkiaku partia e të cilit qëndron në pushtet, pasi nëse kjo do të ndodhte atëherë do të vërtetoheshin akuzat e Berishës se Rama është në pushtet dhe kontrollon SPAK-un.

Në këtë rast Veliaj do të ishte si në rastin e Kadri Hazbiut, i cili thoshte “partia ime më futi në burg”. Të dalë edhe Veliaj të thotë “më futi në burg partia ime”.

Nuk mundet që një prokuror të fusë për inat në burg një person, pasi ka gjykata, dhe të gjitha nivelet e gjykatave e kanë lënë në burg Erion Veliajn.

Veliaj, nëse do të ishte burrë, do të shkonte para drejtësisë, pasi ka pothuajse 9 muaj që dosja është dërguar në gjykatë dhe ai vazhdon të zvarrisë proceset e nuk përballet me drejtësinë, faktet dhe provat që flasin me të madhe kundër tij.

Mesa duket nuk është burrë si politikan, por është siç thotë vetë, zdroms. Përdor këllira mediatike si Mero Baze që të mashtrojnë. Mendon se Meron e lexojnë shumë dhe vlen shumë, por ka harruar shprehjen e dikurshme të socialistëve që “Mero vlen më pak se letra higjienike në koshin e një tualeti”.

Tani flet pallavra për akuza të fabrikuara. Faktet dhe provat janë atje dhe duhet të përballet me drejtësinë.

Thelbi janë 13 akuzat e rënda dhe CNA do të rinxjerrë edhe një herë skandalet e Veliajt dhe çdo dokument që fakton ato 13 akuza të rënda penale që Mero, “mjerot” e tij dhe avokati i pandehur i Veliajt të mos thonë më pallavra./ CNA