Berisha: Uragani i djeshëm i kalli datën Ramës! Dënoj dh*nën mbi protestuesit! Ne vazhdojmë kryengritjen tonë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, e cilësoi protestën e djeshme si një “uragan” qytetar kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Në deklaratën e tij, Berisha ka dënuar dhunën që është ushtruar ndaj protestuesve dhe deputetëve të opozitës, duke akuzuar forcat e rendit për përdorim të tepruar force dhe trajtim çnjerëzor gjatë ndërhyrjes në tubim dhe shoqërimeve në komisariate.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Para së gjithash dëshiroj të përshëndes ata dhjetëra mijëra qytetare e qytetarë, opozitare e opozitarë, që dje me uraganin e fuqishëm në kryengritjen tonë paqësore i kallën datën dhe tmerrin narkoregjimit të Edi Ramës.
Të përshëndes përzemërsisht herionjtë tanë në qelitë e komisariateve, të cilët përballë torturave çnjerëzore, goditjeve shtazore që morën nga narkopolicë të droguar, qëndruan të pamposhtur dhe nuk pranuan të japin asnjë deklaratë siç donin banditët që i arrestuan.
Dënoj me forcën më të madhe dhunën ndaj protestuesve dhe dhunën e hapur dhe të programuar ndaj drejtuesve kryesorë të PD dhe deputetëve të kësaj partie, të cilët ishin absolutisht që të gjithë në protestën më paqësore dhe po jepnin kontributin më të madh për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës, të cilën banditë me uniformë, narkokomisarë të tipit Skënder Balluku, Sokol Besëpreri, Enton Pallushi dhe Dashi i operacionales bënë gjithçka për ta shndërruar aët në një protestë të dhunshme.
Për këtë qëllim, në mënyrë të programuar ata përdorën një armë me fuqi të njohur letale siç është spraji kundër ariut, i cili është dhjetëra herë më i fuqishëm se spraji që përdoret kundër njeriut.
Përdorimi i këtij spraji përbën një krim, një vepër të rëndë penale dhe është i ndaluar në të gjithë konventat.
Kjo është policia e parë në botë që përdor sprajin e ariut kundër qytetarëve dhe protestuesve.
Në mënyrë selektive janë goditur dhe shënjuar me spraj drejtuesit kryesorë të PD dhe deputetët e saj Flamur Noka, Luçiano Boçi, Klevis Balliu, Ivi Kaso, Blendi Himçi, Aulon Kalaja dhe shumë të tjerë.
Me këtë rast dënoj me forcën më të madhe shtazërinë e treguar ndaj demonstruesve.
Dënoj torturat e ushtruara ndaj tyre në komisariat. Edhe sot në komisariat ka demonstrues të torturuar me shenja të hapura tortura.
Aulon Kalaja, pasi u verbua me spraj ariu, u godit në një hakmarrje të verbër me shkop prapa koke, duke e lënë pa ndjenja.
Po kështu janë një seri demonstruesish paqësorë.
Për të maskuar aktet e tyre shtazarake, sollën policë gjoja të plagosur, por asnjëri prej tyre nuk kishte asnjë lloj plage dhe u bënë qesharakë para personelit shëndetësor të Spitalit të Traumës dhe spitaleve të tjera.
Edhe njëherë, shpreh nderimin tim më të madh për protestuesit trima dhe guximtarë, të cilët me qëndresën, guximin e tyre i thanë dje Edi Ramës se çështjen Balluku, që është çështja Rama, vërtet i mbylle dyert prokurorisë, i mbylle dyert gjykatës, por çështjen nuk do mund ta mbyllësh kurrë sa të ketë Shqipëria opozitë gjer në ditën e fundit të ndëshkimit tuaj.
Të dashur miq, sot PD është forca politike e vetme në rrugë.
Qëndron e fuqishme përballë dhunës, terrorit policor.
Qëndron e fuqishme përballë mafies shtetërore më të rrezikshme në Europë.
Qëndron e fuqishme përballë mafies së fjalës së lirë që shpif, trillon nga mëngjesi gjer në darkë dhe manipulon kundër opozitës së fuqishme shqiptare.
Por ne vazhdojmë të palëkundur këtë betejë.
Vazhdojmë kryengritjen tonë paqësore në kilometrin tonë të fundit gjer në triumfin e plotë tonë.
Edhe njëherë, për ata që abuzojnë me kilometrin e fundit, u them prapë në qoftë se e bëni nga padija, kjo është normale.
Por në qoftë se e bëni nga keqdashja, kilometri i fundit për PD do të thotë se kjo parti kaloi beteja të cilat ngrihen në kufijtë e legjendës.
Në kilometrat e mëparshëm, në përpjekjen për asgjësimin e saj, dështuan ata që donin ta asgjësonin.
Në kilometrat e mëparshëm, në përpjekjen për ta shndërruar në fasadë opozitë apo për ta unifikuar me qeverinë, dështuan ata që tentuan këtë gjë.
Në kilometrat e mëparshëm, ata që vazhduan përpjekjet për asgjësim duke i marrë flamurin dhe logon dhe vulën, të cilët arritën përkohësisht ta përçajnë, përsëri dështuan sepse ajo është e bashkuar.
Në kilometrat e mëparshme kjo opozitë bëri gjithçka për t’i faktuar botës se Shqipëria është narkoshtet dhe se zgjedhjet në Shqipëri janë një farsë elektorale.
Sot janë 7 rezoluta ndërkombëtare që pohojnë plotësisht deklarimet tona.
Në kilomtrat e mëparshme, përpjekjet e mëdha të mafies ndërkombëtare dhe të qeverisë kriminale për të izoluar PD u hodhën mënjanë.
Sot jemi forca politike më e mbështetur se kurrë më parë nga të gjitha forcat politike të qendrës së djathtë në rajon, në Europë dhe në botë.
Ndaj dhe të vazhdojmë me vendosmëri të palëkundur në misionin tonë historik të përmbysjes së diktaturës së dytë në Shqipëri, diktaturës së narkosit Edi Rama.


