Sejko në takimin e FMN-së: Nevojitet vigjilencë për të ruajtur stabilitetin e çmimeve

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, së bashku me ministrin e Financave, Petrit Malaj, morën pjesë në një takim me dyer të mbyllura me ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore për të diskutuar mbi perspektivën dhe sfidat e politikës për Evropën të organizuar nga Departamenti Evropian i FMN.

Guvernatori Sejko, mbajti një fjalë në takim, duke ndarë disa reflektime mbi sfidat aktuale në një mjedis me pasiguri të lartë gjeopolitike dhe presione të rritura inflacioniste.

Në fjalën e tij, ai theksoi tre mesazhe kryesore.

“Së pari, Shqipëria ndodhet në një pozicion më të fortë falë përmirësimit të qëndrueshmërisë makroekonomike, stabilitetit financiar dhe reformave strukturore të ndërmarra gjatë dekadës së fundit”, u shpreh Sejko.

“Së dyti, pavarësisht këtyre arritjeve, nevojitet vigjilencë dhe reagim i kujdesshëm e në kohë ndaj zhvillimeve të reja, për të ruajtur stabilitetin e çmimeve”, vuri në dukje ai.

“Së treti, u theksua rëndësia e koordinimit ndërkombëtar, duke vlerësuar bashkëpunimin mes institucioneve dhe nevojën për forcimin e dialogut dhe koordinimit të politikave në një ekonomi gjithnjë e më të ndërlidhur”, u shpreh Sejko sipas njoftimit nga Banka e Shqipërisë.

Guvernatori nënvizoi gjithashtu se stabiliteti makroekonomik është një investim afatgjatë që kërkon qëndrueshmëri dhe angazhim të vazhdueshëm.

Takimi u zhvillua në kuadër të Mbledhjeve të Pranverës 2026 të FMN-së dhe BB-së në Uashington, DC.