Sëmundja e rrezikshme në kufi, specialisti zbardh si u përhap dhe shenjat që duhet të kenë kujdes blegtorët

Një sëmundje e rrezikshme për kafshët është shfaqur në një fermë në një zonë ndërkufitare, duke ngritur alarmin për një përhapje të mundshme.

Sipas Erson Dhimespira, Drejtor i Drejtorisë së Veterinarisë  (AKVMB), vatra e infeksionit ndodhet vetëm 5 deri në 10 kilometra larg kufirit me Maqedoninë e Veriut, çka e bën situatën më delikate.

I ftuar në emisionin “Alert”, eksperti shpjegon se megjithëse fermeri nuk kishte blerë kafshë të reja, gjë që përjashton futjen e sëmundjes nga burime të brendshme, dyshimet kryesore bien mbi lëvizjet ndërkufitare.

Transmetimi, tha ai, mund të ketë ndodhur përmes mjeteve të transportit, ushqimeve të kafshëve apo edhe lëvizjes së personave nga shteti fqinj. Një tjetër shkak i mundshëm është edhe lëvizja e kafshëve të egra, pasi bëhet fjalë për një sëmundje që nuk njeh kufij dhe që mund të përhapet lehtësisht në zona të afërta, veçanërisht në kullota të përbashkëta.

Në një thirrje drejtuar blegtorëve, specialisti theksoi rëndësinë e njohjes së shenjave klinike, të cilat mund të jenë fatale për tufën nëse nuk identifikohen në kohë. Simptomat kryesore që duhet të alarmojnë fermerët janë:

*   Temperaturë e lartë

*   Humbje e oreksit (anoreksi)

*   Rënie në peshë dhe dehidratim

*   Diarre

*   Nekrozë (vdekje e indeve) në mishrat e dhëmbëve (gingiva)

Dhimespira theksoi se autoritetet janë vënë në lëvizje për menaxhimin e situatës. Menjëherë pas konfirmimit të rastit pozitiv, është aktivizuar Qendra Kombëtare e Krizës, ku marrin pjesë përfaqësues nga disa ministri dhe institucione homologe. Janë organizuar takime ndërgjegjësuese me njësitë administrative, pushtetin vendor dhe policinë kufitare për të rritur vigjilencën dhe për të kontrolluar lëvizjen e kafshëve në zonën e gjelbër kufitare.

Gjithashtu, bëhet me dije se Ministria e Bujqësisë është në fazën finale të miratimit të një Vendimi të Këshillit të Ministrave (VKM) për dëmshpërblimin e të gjithë fermerëve që janë prekur nga kjo sëmundje, duke përfshirë edhe ata që do të dëmtohen në vitin 2025.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT”