Murtaja për kafshët shfaqet në Dibër, Dhimespira: Janë marrë masat, ferma është vënë në karantinë

Një vatër e sëmundjes së PPR, e njohur ndryshe si “murtaja e ruminantëve të vegjël”, është konfirmuar zyrtarisht në qarkun e Dibrës, duke vënë në alarm autoritetet veterinare.

Sëmundja virale, tejet ngjitëse dhe me mortalitet të lartë, prek bagëtitë e imëta si dhitë dhe delet, por fatmirësisht nuk transmetohet te njerëzit.

Vatra e re u identifikua më 31 mars në një fermë në Dibër. Erson Dhimespira, Drejtor i Drejtorisë së Veterinarisë  (AKVMB) i ftuar në emisionin “Alert” bëri të ditur se janë marrë masa të menjëhershme për izolimin e saj.

E gjithë tufa në fermën e prekur, tha ai, përfshirë edhe kafshët që nuk shfaqnin shenja klinike, është asgjësuar për të parandaluar përhapjen, ndërsa ambientet janë dezinfektuar.

Sipas tij, PPR është një sëmundje relativisht e re për Shqipërinë, me rastet e para të shfaqura vitin e kaluar. Ajo shkakton dëme të mëdha ekonomike për fermerët për shkak të ngordhjeve masive dhe shpejtësisë së lartë të transmetimit brenda tufës.

Periudha aktuale e pjelljeve e bën situatën më delikate, pasi kafshët e reja si kecat dhe qingjat janë më të prekshëm për shkak të imunitetit të ulët.

Shqipëria konsiderohet vend me rrezik të lartë për shkak të qarkullimit të kësaj sëmundjeje në vendet fqinje si Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

Zonat kufitare, veçanërisht qarqet e Dibrës, Gjirokastrës dhe Tepelenës, janë nën një vigjilencë të shtuar. Autoritetet po kryejnë një hetim të thelluar epidemiologjik për të zbuluar origjinën e infeksionit në vatrën e Dibrës, ku dyshimet kryesore lidhen me lëvizjet e pakontrolluara të kafshëve apo kontaktin mes tufave në kullotat pranë kufirit.

Në terren, janë vendosur zona të kontrollit dhe mbikëqyrjes në një rreze prej 3 dhe 10 kilometrash rreth fermës së prekur. Erson Dhimespira, u shpreh se Drejtoria Rajonale e AKVMB-së, që mbulon edhe qarkun e Dibrës, po verifikon të gjitha fermat në këtë zonë për të siguruar që vatra mbetet e izoluar dhe për të parandaluar çdo mundësi të një shpërthimi më të gjerë.

PJESË NGA BISEDA

Çfarë është PPR? Si fillim, po e nisim me këtë për ata që na ndjekin dhe që ndoshta nuk kanë informacionin e duhur.

Erson Dhimespira: Për sa i përket sëmundjes së PPR-së, është murtaja e ruminantëve të vegjël, të cilët prek kafshët e imta, të cilat janë dhentë, dhitë dhe edhët. Për sa i përket kësaj sëmundjeje, është një sëmundje virale e cila është e re për vendin tonë. Shfaqjen për herë të parë e ka pasur vjet, në vitin 2025. Duhet të theksojmë që kjo është një sëmundje me mortalitet të lartë, por thelbësore do të theksoj që është një sëmundje e cila nuk është zonotike. Domethënë ka një dëm në ekonominë e fermave për fermerët, por nuk transmetohet sëmundja nga njerëzit, nga kafshët te njerëzit dhe anasjelltas.

Po. Por ka një dëm të madh për sa i përket fermave, sepse ka një mortalitet të lartë dhe transmetimin e sëmundjes është shumë i shpejtë. Për sa i përket kësaj sëmundje, do të themi që ne kemi pasur të shfaqur vjet në 2025, kemi bërë një menaxhim të saj të plotë dhe këtë vit na është shfaqur në 31 mars në zonën e qarkut të Dibrës, por do të themi që kjo sëmundje ka qarkulluar në shtetin fqinj, Greqi, Maqedoni dhe do të, është zona me risk, janë zonat kufitare përsa i përket Greqisë që siç janë Gjirokastra, Tepelena, qarku i Dibrës dhe këto janë pjesa edhe më e madhe ku ne i kemi kushtuar edhe rëndësinë më të madhe, domethënë jemi më vigjilent për sa i përket të gjithë njoftimeve, kontrolleve që kryejmë, jo se në vendet e tjera dhe në qarqe të tjera nuk kemi kontrolle, por këtu është fokusi më i madh për shkak se...

Po, për shkak se ka vatra aktive në Maqedoni dhe në Greqi?

Erson Dhimespira: Ka vazhduar sëmundja në Greqi dhe në Maqedoninë e Veriut dhe për sa i përket, për sa i përket dhe pjesës së sëmundjes, ne kemi deri më sot një vatër e cila është e izoluar dhe janë marrë të gjitha masat për eliminimin e kafshëve të cilat janë në këtë vatër.

Për t'u kthyer tek dëmi ekonomik. Ishte fermë e madhe? Janë eliminuar të gjithë kafshët? Sepse edhe ato të paprekura eliminohen në momentin që preket tufa?

Erson Dhimespira: Kjo ishte një fermë relativisht mesatare, jo me numër shumë të madh, por duhet të theksojmë edhe pjesën që kjo ishte, është një periudhë ku në varësi dhe të zonave, kemi edhe është edhe periudha ku janë pjelljet dhe ka dhe kecat dhe qingjat që janë në moshë të vogël dhe këta janë të parët që preken dhe janë dhe si pjesa më e dobët e tufës që...

Për shkak të imunitetit dhe kemi dhe pjesën e transmetimit të shpejtë të sëmundjes. Por, masat janë marrë të gjitha, caktuar zonat tre dhe 10 km. Janë eliminuar të gjitha kafshët të cilat kanë qenë në fermë, është bërë dezinfektimi i fermës, janë marrë të gjithë dokumentacionet, procesverbalet dhe në terren janë të gjithë fermat që janë në këtë zonë, janë duke u verifikuar nga drejtoria e Tiranës e cila kap dhe qarkun Dibër.

Shërbimi veterinar menjëherë pas konfirmimit laboratorik, se masat janë të menjëhershme që në rastin kur dyshohet për një sëmundje infektive, vihen kafshët në karantinë, dërgohet materiali në ISUV dhe në momentin që kemi konfirmim të sëmundjes, e gjithë ferma vendoset në karantinë dhe merren të gjitha masat për dizinfektimin e fermës, për moslejimin e hyrje-daljeve në fermë, por gjithashtu një masë tjetër është edhe hetimi epidemiologjik.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT”