Misteri i vatrës në Dibër, Shehu: Hetimi epidemiologjik i vështirë, pasi sfidat e gjurmimit të murtajës ...
Një vatër e re e murtajës së të vegjëlve është identifikuar në një fermë në qarkun e Dibrës, por origjina e infeksionit ka vënë në vështirësi ekspertët veterinarë, të cilët nuk kanë arritur ende të gjejnë burimin e saj.
Rasti paraqet një enigmë, pasi rrethanat e shpërthimit janë krejtësisht të ndryshme nga ato të vëzhguara në vitin e kaluar.
E ftuar në emisionin “Alert”, Gëzime Shehu, Drejtoreshë e AKVMB Tiranë u shpreh se sipas hetimeve epidemiologjike, ndryshe nga rastet e mëparshme që lidheshin me tregtinë e paligjshme të kafshëve pa dokumentacion, ferma në fjalë funksionon si një cikël i mbyllur.
Ajo ka nisur aktivitetin në vitin 2015 me një numër të vogël krerësh dhe që atëherë, tufa është rritur vetëm përmes riprodhimit të brendshëm.
Të dhënat nga sistemi i identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve (RUDA) konfirmojnë se në këtë fermë nuk është futur asnjë kafshë e re gjatë shtatë viteve të fundit, çka e bën të pamundur identifikimin e një burimi të jashtëm infeksioni.
Një tjetër element që e komplikon gjurmimin e sëmundjes është mënyra e kullotjes së bagëtive në zonë. Kafshët ushqehen në parcela të izoluara, të quajtura "zabele", gjë që parandalon kontaktin mes tufave të fermave të ndryshme. Kjo praktikë, ndonëse ka shërbyer si një barrierë natyrore duke penguar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes te pesë fermat e tjera të mëdha në zonë, të cilat nuk paraqesin asnjë shenjë klinike, nga ana tjetër e bën hetimin edhe më të vështirë.
Edhe pse qarku i Dibrës u prek nga kjo sëmundje edhe vitin e kaluar, duke qenë vatra e dytë pas asaj të Shkodrës, situata aktuale është e ndryshme.
Në rastin e mëparshëm, hetimi arriti të gjurmonte origjinën te kafshët e blera në treg pa certifikatë veterinare. Vatra e re ndodhet në një zonë tjetër gjeografike, konkretisht në njësinë Shupenzë, larg vatrës së vitit të kaluar në njësinë Kastriot.
Shenjat klinike të vërejtura këtë herë kanë qenë atipike, duke mos përfshirë disa nga simptomat klasike të sëmundjes, siç janë krustet. Kafshët shfaqnin temperaturë të lartë dhe etje të theksuar, shenja që shtynë fermerin e përkushtuar të lajmëronte menjëherë shërbimin veterinar. Për shkak të këtyre paqartësive, mostrat e dërguara në laborator po analizohen edhe për sëmundje të tjera për të bërë një diagnozë diferenciale. Ndërkohë, burimi i infeksionit mbetet një mister.
GËZIME SHEHU, DREJTORESHË E AKVMB TIRANË: “Është kryer një hetim epidemiologjik në këtë fermë edhe dua të them që në krahasim me vitin e kaluar kur nga hetimet epidemiologjike një shkak i pranisë së murtajës së ruminantëve të vegjël ishte tregtia e lirë e kafshëve pa dokumentacion veterinar apo tregtia në zona ndërkufitare, tregtia e paligjshme. Në këtë fermë kemi të bëjmë me një fermë e cila ka filluar që nga viti 2015 me pesë krerë, me 10 krerë, duke i shtuar krerët brenda tufës.
Edhe riprodhimi duke u kryer nga kafshët e fermës, gjë që për ne, për shërbimin veterinar e ka bërë të pamundur që të kemi një origjinë të kësaj sëmundjeje, sepse nuk mund të themi që kemi futjen e kafshëve të tjera, duke qenë se edhe nga sistemi Ruda, gjatë shtatë viteve të fundit, nuk ka asnjë futje të kafshëve të tjera, por vetëm riprodhim brenda fermës.
Një fakt tjetër që na bën të vështirë dhe origjinën e kësaj sëmundjeje është se kafshët në këtë zonë mbarë-shtrohen ose ushqehen në zona siç edhe ata i quajnë, zabele.
Domethënë kur kontakti midis fermave është i pamundur, sepse secili ka ato zonat e veta ku edhe kullosin kafshët. Domethënë që nuk ka pasur edhe kontakt midis fermave me njëra-tjetrën.
Kjo nga njëra anë ka bërë të pamundur që ne të kemi një origjinë të sëmundjes, që të themi, për të konkluduar që nga na erdhi kjo sëmundje, por nga ana tjetër është një gjë e mirë sepse nuk kemi pasur kontakt me fermat e tjera edhe nuk kemi...
Në këtë zonë janë disa ferma të mëdha, relativisht se të mëdha quhen për zonat atje, domethënë, po jo, që kapin, jo një numër shumë i madh, por mesatare, 200-300 krerë.
Edhe fakt është që në të gjitha këto ferma, janë gjithsej pesë ferma të mëdha, te asnjëra nuk kemi pasur praninë e shenjave klinike ose të dyshuese. Pra, për ne ka qenë e pamundur që të kemi një shkak të jashtëm në praninë e këtij, infeksioni.
Ne kur kemi dërguar dhe kampionët në institut, i kemi dërguar edhe për dy sëmundje të tjera, sepse edhe shenjat nuk ishin aq tipike sa në vitin e kaluar, kur kishim praninë e krusteve.
Kishin një temperaturë të lartë, skuqje të qiellzës, domethënë që ishin dyshuese. Temperatura e lartë dhe fermeri thoshte, kishin shumë etje për ujë, sepse ai vetë e kishte vënë re shenjat që në fillim që ka lajmëruar shërbimin veterinar, diarre, po jo tipike të krusteve siç edhe i kishim në vitin e kaluar.
"Nuk e kam parë" thotë, ëh, në atë që shpreh, në intervistën që ne i bëjmë kur marrim, se mundohemi të marrim, të bëjmë sa më shumë pyetje për të marrë sa më shumë të dhëna për inseminimin, për futjen, për ta kapur në ndonjë pikë që ai të thotë po i kam blerë, i kam marrë dhe fakt është që kishim të bënim me një fermer të përkushtuar, që në ditën e parë kur ishin vënë re shenjat në tufën e vet, menjëherë kishte njoftuar veterinerin, sepse diçka nuk shkonte përtej asaj që ai ishte mësuar të shikonte në tufë me shenja klinike të përditshme. Edhe ne kemi çuar edhe për dy sëmundje të tjera për të bërë edhe diferencimin, domethënë.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT”

