Zbulohet shuma, Shehu: Ja sa lekë do të marrin fermerët për çdo kafshë të ng*ardhur nga murtaja
Autoritetet kanë zbardhur shifrat zyrtare të dëmeve në blegtori si pasojë e sëmundjeve infektive, si dhe masat e marra për kompensimin e fermerëve të prekur. Gjatë vitit të kaluar, janë asgjësuar gjithsej 2,218 krerë bagëti, duke prekur rreth 22 ferma në të gjithë vendin.
E ftuar në emisionin “Alert”, Gëzime Shehu, Drejtoreshë e AKVMB Tiranë, u shpreh se qeveria ka miratuar tashmë kuadrin ligjor për dëmshpërblimin dhe procesi është në fazën finale të zbatimit. Vlera e kompensimit për fermerët do të variojë në bazë të racës dhe moshës së kafshës së ngordhur. Mesatarisht, shuma e dëmshpërblimit do të jetë rreth 15,000 deri në 20,000 lekë për krerë.
Ky vlerësim është bazuar në çmimet aktuale të tregut, me qëllim që të mbulohet vlera reale e kafshës, edhe pse humbja e fitimit për fermerin mbetet një kosto e pashmangshme.
Shehu kujtoi se procesi i dëmshpërblimit kërkon që çdo rast të jetë i konfirmuar paraprakisht me analiza laboratorike. Për të përfituar kompensimin, fermerët duhet të paraqesin dokumentacionin e plotë, përfshirë certifikatën e origjinës dhe faturat e blerjes, një kërkesë që mund të paraqesë vështirësi për blegtorët që zotërojnë raca autoktone, për të cilat dokumentacioni shpesh mungon.
Paralelisht me masat e kompensimit, autoritetet po zbatojnë një plan të gjerë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.
Janë krijuar zona të mbrojtura dhe të mbikëqyrura në një rreze prej 3 dhe 10 kilometrash rreth vatrave të infeksionit. Brenda këtyre zonave, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe pushtetin lokal, është ndaluar lëvizja dhe tregtimi i kafshëve.
Gjithashtu, janë ngritur grupe të posaçme veterinerësh që po kryejnë kontrolle dhe inventarizime të fermave, si dhe po matrikullojnë kafshët e reja për të pasur një evidentim të saktë të situatës. Vetëm në Qarkun e Tiranës, vitin e kaluar u regjistruan 928 krerë të prekur në gjashtë ferma.
Shehu u bëri thirrje fermerëve të mos shqetësohen dhe të mos fshehin rastet e dyshuara. Ajo këshilloi të njoftojnë menjëherë shërbimin veterinar sapo të vërejnë shenja klinike të sëmundjes te kafshët e tyre, duke u garantuar se do të marrin të gjithë shërbimin e nevojshëm dhe do të përfshihen në skemën e dëmshpërblimit.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT”

