EMRI/ Dogji automjetin e policit në Vlorë, arrestohet autori, kush ishte porositësi
Është zbardhur zjarrvënia e qëllimshme e automjetit të policisë në qytetin e Vlorës, ndërsa është vënë në pranga autori.
Sipas policisë, është arrestuar shtetasi Albano Merkaj, 39 vjeç, banues në Vlorë, person me precedent kriminal, pasi më datë 14 prill 2026 i ka vënë zjarrin automjetit tip “Ford C-Max”, në pronësi të efektivit të Policisë D. P.
Nga përhapja e flakëve është përfshirë dhe dëmtuar edhe një automjet tjetër, i markës “Mercedes-Benz”, në pronësi të shtetasit R. K.
Hetimet kanë çuar gjithashtu në identifikimin e porositësit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit Ledio Hajdini, 35 vjeç, i cili ndodhet aktualisht me masë sigurie “Arrest në burg”.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se zjarrvënia lidhet me një operacion policor të datës 2 prill 2026, ku forcat “Shqiponja”, mes tyre edhe punonjësi i Policisë D. P., kapën në flagrancë Ledio Hajdinin për shkelje të masës “Arrest në shtëpi”, të vendosur për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.
