ZJARRI NË "ARLIS" SHPK/ Teliti: Pallati u kthye në ‘minë me sahat’, zinxhir bashkëfajtorësh nga projekti te kolaudimi
Këshilltari bashkiak i PD-së, Dorian Teliti, ishte i ftuar në një lidhje për mediat, ku foli për zjarrin në një pallat në Tiranë dhe përgjegjësitë që dalin nga kjo ngjarje.
Ai e lidhi përhapjen e shpejtë të flakëve me cilësinë e materialeve të përdorura në ndërtim dhe mënyrën si është realizuar fasada e godinës.
“Nuk mundet një pjesë e fasadës të digjet dhe pjesa tjetër jo… kjo tregon që janë përdorur materiale të ndryshme, njëra cilësore dhe tjetra jashtë standardit.”-tha ai.
Sipas tij, problemi nuk ndalet vetëm te ndërtuesi, por shtrihet në një zinxhir të gjatë përgjegjësish, që nis nga projektimi dhe përfundon te kolaudimi i objektit.
Ai foli për mungesën e hapësirave të nevojshme për ndërhyrje emergjente, duke thënë se projektet kanë ngushtuar rrugët dhe kanë bllokuar aksesin për zjarrfikëset.
“Është një zinxhir i madh bashkëfajtorësh… nga ata që kanë projektuar, te ata që kanë dhënë lejet dhe ata që kanë kolauduar pallatin.”-shtoi Teliti.
Teliti përmendi edhe mungesën e elementëve bazë të sigurisë, si hidrantët e ujit dhe pajisjet antizjarr, të cilat sipas tij ose nuk ekzistonin, ose nuk funksiononin.
Në fund, ai kërkoi që të gjithë personat përgjegjës, nga ndërtuesit te institucionet që kanë miratuar projektin, të mbajnë përgjegjësi për pasojat që la pas zjarri.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

