“Banjska”, Prokuroria Speciale kërkon burgim të përjetshëm për të akuzuarit
Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar që tre të akuzuarit Blagoje Spasojeviç, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviç të shpallen fajtor dhe të dënohen me burgim të përjetshëm për rastin “Banjska”, ngjarje ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Prokurori special, Naim Abazi gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare tha se sulmi terrorist në Banjskë nuk ka qenë i izoluar por një organizim me qëllim terrorist me synim cenimin e rendit kushtetues.
Ai më tej tha se aktet e të akuzuarve përbënë akte të mirëfillta terrorite qe kanë rezultuar me vrasjen e rreshterit, Afrim Bunjaku dhe plagosjes se zyrtareve policor.
Prokurori Abazi po vazhdon me paraqitjen tutje të fjalës përfundimtare për sulmin terrorist më Banjskë të Zveçanit në shtator të viti 2023.
Në sallën e gjykimit janë të pranishëm edhe tre të akuzuarit, Blagoje Spasojeviç, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviç.
Nën masa të larta të sigurisë u sjellën në gjykatore të akuzuarit, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviç, të cilët akuzohen për sulmin terrorist në Banjskë në shtatorin e vitit 2023.
Ndaj 45 personave, në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç është ngritur aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas aktakuzës, mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.
Në shqyrtimin e sotëm gjyqësor do të dëgjohen fjalët përfundimtare të Prokurorisë Speciale. Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, në përbërje të trupit gjykues: Ngadhnjim Arrni (kryetar) Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala- Abdyli (anëtarë).
Në orët e para të ditës më 24.09.2023, një njësi policore e cila ishte në patrullim në zonën e Zveçanit njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon drejt brendisë së fshatit Banjskë në të cilin gjenden dhjetëra shtëpi.
Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me duke iu afruar kamionëve të vendosur për të parë se çfarë po ndodhte një granatë kundër këmbësorisë me telekomandë kishte shpërthyer.
Rreshteri Afrim Bunjaku mbeti i vrarë, ndërsa dy kolegët e tij, njëri u plagosur dhe tjetri mbeti i lënduar. /KosovaPress

