Prezenca e OSBE-së rinis takimet për zgjedhjet, në fokus reforma zgjedhore dhe roli i KQZ-së
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka rinisur takimet periodike që lidhen me çështjet zgjedhore, duke zhvilluar takimin e parë për këtë vit të Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me të cilët u diskutua mbi përpjekjet për reformën zgjedhore dhe zhvillimet kryesore që lidhen me proceset zgjedhore në vend.
Diskutimet u përqëndruan veçanërisht në punën e Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, si dhe në nismat ligjore të paraqitura pranë institucioneve përkatëse apo të bëra publike kohët e fundit. Gjithashtu, u trajtuan edhe veprimtaritë më të fundit të KQZ-së, e cila prezantoi planet për nismat e ndihmës ndërkombëtare në fushën e zgjedhjeve për këtë vit.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri theksoi se mbetet e përkushtuar për të mbështetur autoritetet shqiptare dhe të gjithë aktorët e përfshirë në çuarjen përpara procesin e reformës zgjedhore, si dhe zbatimin e rekomandimeve të OSCE/ODIHR.
