PALLATI “I KASHTËS”/ Inxhinieri analizon fasadën e pallatit të Armand Lilos që u shkrumbua në pak minuta: Material plastik, i ndaluar!

Zjarri që përfshiu pallatin në kompleksin "Arlis" të ndërtuesit Armand Lilo, i shpallur sot në kërkim nga policia, te zona e njohur si "Farmacia 10" në Tiranë, nuk ishte një rast i izoluar, dhe as për shkaqe të panjohura më parë. Precedentët e ndodhur po në kryeqytet, i bashkon fakti i materialeve të lira dhe të papërshtatshme që përdoren për fasadat, duke favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve. Materiale që sipas drejtuesit të zjarrfikësve të Tiranës duhet të ndalohen për t’u përdorur.

Një rast i njejtë u përsërit edhe më herët në një pallat në zonën e ish-Parkut të Autobusëve, ku po ashtu fasada e ventiluar u bë burim i shpërthimit të flakëve.

Këto lloje fasadash, konsiderohen me rrezik të lartë për përhapjen e zjarrit, nëse nuk përdoren materiale cilësore.

Në objektin që u përfshi nga flakët pasditen e e të martës, i ndërtuar nga kompania ARLIS CONSTRUCTION në Rrugën 5 Maji, është konstatuar se ndërsa muret kanë veshje me lesh guri, pjesa e fasadës është me material i cili në anën e jashtme ka përmbajtje alumini, ndërsa nga brenda është i veshur me një lëndë e cila ka bazë nafte.

Eshtë pikërisht kjo pjesë që ka favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve që përpinë në një kohë të shkurtër pallatin.

Në këmbët e pallatit në flakë, grumbujt e copave të fasadës që kanë rënë në tokë, i gjen kudo. Edhe për inxhinjerin Gëzim Beqja, të cilit iu treguan në studion e Report TV, ato janë materiale të ndaluara.

“Ky produkt ndahet në 2 kategori, ato që janë 100% metalike, me alumin dhe janë të pranueshme për t’i futur në fasadë dhe ato që kanë përbërje plastike. Kjo është absolutisht e ndaluar. Kjo e thith më shumë sesa duhet zjarrin”, tha inxhinieri.

Kompania ndërtuese Arlis, u përpoq të hiqte përgjegjësinë nga vetja, ndërsa përmes një deklarate theksoi se për fasadën ajo ka patur kontrata me shoqëri të rregjistruara  që kanë ofruar certifikatat e materiale sipas standarteve europiane dhe legjislacionit në fuqi.

Por pamjet e transmetuara të momenteve të para të zjarrit, tregojnë flakët që nisin pikërisht në pjesën e poshtme të pallatit pranë një marketi, pak centimetra nga toka, për të përfshirë me shpejtësi katet e larta të godinës. Nëse do të ishin përdorur materialet e duhura, sipas inxhinjerit Beqja, zjarri do të duhej të ishte shuar vetë.