“Prokuroria të mos tolerojë”/ Beçi: Pallatet në Tiranë me leje që kufizojnë daljet e emergjencave

Ish-prokurori Eugen Beçi ndau një qëndrim të ashpër lidhur me përgjegjësitë ligjore për zjarrin që përfshiu sot pasdite një kompleks banimi në kryeqytet.

Duke folur në emisionin “Now”, Beçi tha se prokuroria nuk duhet të bëjë asnjë tolerim gjatë hetimeve të rastit.

Sipas Beçit, një problematikë kryesore që duhet të përfshihet në hetime është dhënia e lejeve të ndërtimit për projekte që kufizojnë daljet e emergjencave dhe elementet e sigurisë.

“Përgjegjësitë ligjore janë shumë të mëdha në këtë rast. Unë mendoj dhe shpresoj që Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë të mos e tolerojë këtë rast, që të kryejë një hetim të plotë të mënyrës sesi jepen lejet e shfrytëzimit të pallateve dhe të mënyrës sesi respektohen kontratat në Republikën e Shqipërisë. Janë dhënë leje duke kufizuar në mënyrë totale daljet e emergjencave, distancat e sigurisë, elementet e emergjencës si në rastin konkret dhe duke i ngjitur pallatet njëri me tjetrin, duke mos pasur mundësinë që njeriu të kalojë skiç, jo më që të kalojë automjeti i zjarfikëses”,-tha Beçi.