SINNER NË VENDIN E PARË! Alcaraz zbriti nga froni, Italiani princi i ri i Monakos

Jannik Sinner është shpallur fitues në finalen e Monte Carlos, duke mundur rivalin  Carlos Alacaraz. Ylli italian tashmë ngjitet në vendin e parë të renditjes botërore në tenis!

Monako ka një princ të ri, dhe ai është Jannik Sinner. Italiani ringjitet në vendin e parë të renditjes botërore në tenis, pasi rrëmbeu titullin duke fituar ndaj kryesuesit dhe kampionit në fuqi, Carlos Alacaraz në finalen e Monte Carlo Masters.

Dueli “Sincaraz”, që është emri që tifozët e sportit i kanë vënë rivalitetit të dyshes që dominojnë tenisin prej vitesh, dhuroi spektakël në fushën e principatës së Monakos duke u mbyllur me rezultatin 7-6, 6-3 për Jannik.

Në një ndeshje të fortë dhe me diferencë të ngushtë, të dy tenistët hasën në vështirësi për shkak të erës së fortë, që i detyroi të kryenin gabime të shumta.

Seti i parë u zhvillua me ritme intensive, shërbime të gjata dhe të barabarta, por në fund italiani përparoi në tie-break.

Në setin e dytë u duk se sfida do të luhej në favor të Alcaraz, pasi kaloi  menjëherë në avantazh.

Por Sinner qëndroi fizikisht dhe mendërisht i qetë përballë iberikut, duke përmbysur rezultatin dhe duke u kurorëzuar si kampion i ri.

Ky sukses bëhet trofeu i tretë radhazi për 24-vjeçarin në këtë sezon, që pas dopietës së tij në Amerikë.

Gjithashtu kjo ishte dhe finalja e nëntë për dyshen më të përfolur në tenis, ku spanjolli ka triumfuar 5 herë.