Tiranë/ Rrëmbim si në filma dhe t*rturë për para! 32-vjeçari kaloi orë tmerri, dalin prapaskenat
Një operacion policor i koduar “Hijet” është zhvilluar në Tiranë, duke zbuluar një rast të rëndë rrëmbimi dhe dhune për para.
Sipas policisë, tre persona kanë marrë me forcë një 32-vjeçar më 31 mars 2026 dhe e kanë çuar në një ambient në Xhafzotaj.
Atje ai është mbajtur për disa orë nën kërcënim dhe dhunë fizike, me qëllim që t’i merrnin para.
Pas kallëzimit të bërë nga viktima, policia ka ndërhyrë dhe ka arrestuar dy nga të dyshuarit, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Operacioni është kryer nga strukturat për krimet e rënda, në bashkëpunim me forcat speciale dhe nën drejtimin e Prokurorisë.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar disa automjete, telefona celularë, një shumë parash dhe sende të tjera që pritet të shërbejnë si prova.
Policia vijon punën për kapjen e personit në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

