E pazakontë në Fier/ Shkon për të vjedhur, hajduti vd*s i bllokuar në dritaren e banesës
Një ngjarje e pazakontë është regjistruar gjatë natës në lagjen “8 Shkurti” në Fier, ku një person ka humbur jetën në rrethana të pazakonta.
Dyshohet se një burrë rreth 40 vjeç ka tentuar të hyjë për të vjedhur në një banesë trekatëshe, por gjatë përpjekjes për të kaluar nga dritarja, ka mbetur i bllokuar, duke ngecur me gjysmën e trupit. Në këto kushte, ai ka ndërruar jetë në vend.
Sipas familjarëve të pronarit të banesës, shtëpia i përket Uan Lules, i cili prej rreth një muaji ndodhet në Greqi tek fëmijët e tij. Një fqinj që kujdesej për banesën ka qenë personi që e ka konstatuar trupin e pajetë dhe ka njoftuar menjëherë policinë.
“Banesa është e vëllait tim, ai nuk është këtu, është në Greqi. Një fqinj që kujdeset për shtëpinë e ka parë personin të bllokuar në dritare dhe na lajmëroi. Pastaj u njoftua policia.”-tha i afërmi i familjes.
Trupi i pajetë është dërguar në morgun e Fierit, ndërsa identiteti i viktimës ende nuk është bërë i ditur. Policia po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

