DR*GË SI KARAMELE PRANË SHKOLLAVE/ Lënda narkotike po shitej në Durrës, laboratori ishte në Tiranë
Një drogë sintetike në formë karamelesh që synonte kryesisht adoleshentët po shpërndahej pranë shkollave të mesme, derisa sektori i luftës ndaj drogës në Policinë e Durrësit zbuloi skemën.
Droga kamuflohej në këtë mënyrë me synim shmangien e vëmendjes së autoriteteve drejt shpërndarësve, por edhe për të joshur të rinjtë.
Hetimet treguan se laboratori i përpunimit ndodhej në Tiranë, ndërsa lënda narkotike këto kohë po shpërndahej kryesisht pranë institucioneve arsimore në qytetin bregdetar.
Mbi bazë të provave të siguruara, policia finalizoi operacionin “Shija e hidhur”, gjatë të cilit u arrestuan vëllezërit Ledio dhe Rubin Lemeti, 20 dhe 25 vjeç, nga Kavaja, por me banim në kryeqytet.
Një bashkëpunëtor i tyre 20-vjeçar u shpall në kërkim.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata kishin përgatitur kushtet për përpunimin e lëndëve narkotike, duke arritur të prodhonin lëndë narkotike sintetike në formë xhelatine.
Në banesën e të arrestuarve, policia zbuloi një laborator të mirëfilltë, duke sekuestruar sasi të drogës në formë karameleje, lëndë narkotike kanabis, 550 gramë material sintetik të gatshëm për prodhim, peshore elektronike, kallëpe plastike dhe përbërës të ndryshëm për përpunimin e drogës.
Policia u gjeti dhe sekuestroi 50 paketime me drogën sintetike me peshë totale 650 gramë.
Dyshimet janë se rrjeti i prodhimit dhe hedhjes në treg të drogës në formë karameleje mund të jetë më i gjerë, ndaj grupi hetimor është përqendruar në zbulimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm të tre të rinjve tashmë të identifikuar.

