Miliona euro evazion fiskal, Kazazi 600 mijë euro tender, do furnizojë kopshtet e çerdhet me mish lope skarco në vend të mishit të viçit. AKU dhe Prokuroria duhet të monitorojnë mafien e mishit, rrezik për fëmijët
Vasip Kazazi, administrator dhe bashkëpronar i kompanisë së mishit Kazazi Meat shpk, kompanisë së skeduar për evazion fiskal miliona euro, ka përlarë një tender me vlerë 600 mijë euro për furnizimin me mish viçi dhe mish pule të kopshteve dhe çerdheve të Tiranës.
Në vend që të jepte llogari para drejtësisë për miliona euro vjedhje përmes mashtrimit me taksa, Kazazi e ka fituar tenderin paraprakisht përmes një oferte më të ulët se çmimi limit, me qëllim për të mashtruar gjatë zbatimit të kontratës.

Kazazi pretendon se do të furnizojë kopshtet dhe çerdhet me mish viçi me kosto 7.5 euro 1 kg, ndërkohë që 1 kg mish viçi kushton mbi 10 euro, madje deri në 15 euro.
Ku do t’a gjejë Kazazi mishin me viçit me 7.5 euro kg për fëmijët?
Nëse KPP nuk e anulon këtë tender, Kazazi pritet të operojë si me kontrata të tjera me institucionet publike, ku do furnizojë kopshtet dhe çerdhet me mish lope skarco në vend të mishit të viçit që parashikohet në kontratë.
AKU, Krimi Ekonomik dhe Prokuroria duhet të monitorojnë këtë tender si dhe kontratën e mundshme mes kopshteve dhe çerdheve me kompaninë problematike Kazazi Meat shpk.
Ndërkaq, sa i takon mishit të pulës, Vasip Kazazi pretendon se do të furnizohet nga kompania CHICKEN FARM ALBANIA SH.P.K e Kol Meqemesë, një subjekt gjithashtu i denoncuar se ka sjellë në Shqipëri produkte të kontaminuara me virusin “Listeria”.
Miliona euro evazion fiskal
Drejtoria e Hetimit Tatimor, në bashkëpunim me Task Forcën e Terrenit, zhvilloi disa javë më parë një operacion kontrolli në tre kompani blegtorale në Shqipëri, të angazhuara në blerjen dhe shitjen e gjësë së gjallë dhe tregtimin e mishit të freskët, duke konstatuar rreth 10 milionë euro evazion fiskal.
Bizneset Kazazi në Kavajë, Hallaçi në Kukës dhe Tafaj në Fier dëshmuan disbalancë mes sasisë së madhe të mishit të blerë dhe shitjeve, pasi tregtimi i produkteve bëhej pa faturë.
Nga administrimi i dokumentacionit ka rezultuar se Kazazi deklaronte më shumë blerje dhe më pak shitje, duke shitur mish pa faturë, duke kryer miliona euro evazion fiskal, me qëllim shmangien e taksave.
Në krye të skemës me natyrë kriminale qëndron Vasip Kazazi, administrator dhe bashkëpronar i kompanisë së mishit Kazazi Meat shpk.
Sipas burimeve, Kazazi zbatonte prej vitesh një skemë të konsoliduar të mashtrimit me taksa, ndërsa paratë e përvetësuara dyshohet se i ka pastruar në pasuri të paluajtshme si dhe për të korruptuar zyrtarë publikë, të cilët kanë lejuar evazionin fiskal.
Gjithashtu ka përpjekje dhe pazare për të minimizuar dëmin ekonomik që Kazazi i ka shkaktuar buxhetit të shtetit përmes evazionit fiskal si dhe për të evituar nga Tatimet një kallëzim penal në Prokurori për skemën e mashtrimit.
Shumë operacione të bujshme të Tatimeve kundër evazionit fiskal dhe mashtrimit me TVSH-në janë shfryrë rrugës, pasi subjektet e mashtrimit kanë ndarë një pjesë të parave të vjedhura me segmente të Tatimeve.
Kazai nënkontraktor i Gentian Sharrës, anëtarit të bandës së Talo Çelës
Kompania Kazazi-Meat shpk rezulton nënkontraktore dhe derivat i zonjës Olta Sharra, bashkëshortja e Gentian Sharrës, anëtar i bandës kriminale të Talo Çelës.
Me anë të gruas së tij, Olta Sharra si person fizik me nipt: L32517203Q, grabitësi i Rinasit, Gentian Sharra, i arrestur nga SPAK, ka marrë mbi 14 milionë USD tendera nga Bashkia Elbasan, Librazhd, Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara në Ministrinë e Brendshme, Spitali Psikiatrit i Elbasanit etj., për furnizim me mish të enteve publike.

Pasi përfitonte tenderin me ndërhyrjen e një deputeti, Gentian Sharra kontraktonte vëllezërit Vasip dhe Jeti Kazai për furnizimin me mish të institucioneve publike.
Lidhja mes tyre është zbuluar gjatë hetimit pasuror nga SPAK i supergrabitësit Gentian Sharra, ku iu sekustrua një pasuri me vlerë 5 milionë euro.
Krahas aktivitetit kriminal të grabitjeve me dhunë, Sharra përlante tenderat me pazar në tavolinë dhe me ofertë gati sa fondi limit, ndërsa kontratat i zbatonte Kazazi.
Fondet e BE për bujqësinë
Kazazi ka përfituar në vijimësi mbështetje me fondet e bujqësisë nga AZHBR, nën hetim nga SPAK për korrupsion me paratë publike dhe paratë e Bashkimit Evropian për bujqësinë.
(Hetimet pritet të çojnë në arrestimin e Frida Krifcës dhe disa zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të AZHBR dhe Ministrisë së Bujqësisë).

172 mijë euro ka përfituar me një dorë të vetme Kazazi Meat shpk nga fondet e BE-së për bujqësisë përmes AZHBR, një nga agjensitë më të lakuara dhe të denoncuara për afera korruptive në Shqipëri.
171 mijë euro ka përfituar Kazazi në një tjetër rast nga programi mbështetës IPARD për përpunimin e mishit.

Nuk ka të dhëna që Kazazi Meat shpk të ketë mashtruar me investimet për të cilat ka përfituar fondet, por kompania bazuar në konstatimin e administratës tatimore, për vite me radhë, është përfshirë në krime ekonomike./ PRAPASKENA




