Programi “Pas shkolle”/ Halilaj: Deri 30 mijë lekë në muaj për prindërit, nxënësit do qendrojnë më gjatë në shkollë
Isa Halilaj, Zëvendëspresident i Sindikatës së Mësuesve, ishte i ftuar në studion e Ora News, ku foli për programin “Pas shkolle” dhe mënyrën si ai mund të ndikojë te nxënësit dhe familjet.
Sipas tij, ky program synon të zgjasë qëndrimin e fëmijëve në shkollë përmes aktiviteteve shtesë, përtej orëve mësimore, duke krijuar më shumë hapësirë për zhvillim dhe socializim.
“Duke qëndruar pas orarit me aktivitete shtesë, mendojmë që kjo do ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së arsimit.”-tha Halilaj.
Ai u ndal edhe te kostoja që përballojnë sot prindërit për qendrat private “after-school”, të cilat shpesh arrijnë deri në 25-30 mijë lekë në muaj, një barrë e madhe sidomos për familjet me të ardhura fikse.
“Sot shumë prindër paguajnë shuma të larta për after-school, sepse orari i shkollës nuk përputhet me orarin e punës. Ky program do ta zgjidhte këtë problem.”-shtoi ai.
Një tjetër aspekt që u diskutua ishte ndikimi te sjellja e nxënësve.
Sipas tij, mungesa e aktiviteteve dhe kohës së përbashkët mes fëmijëve ka ndikuar edhe në rritjen e rasteve të dhunës në shkolla.
Programi “Pas shkolle” synon të krijojë një mjedis më të sigurt dhe më aktiv për nxënësit, duke shmangur nevojën për shpenzime në sektorin privat dhe duke forcuar marrëdhëniet mes tyre.
Ndërkohë, mësuesit që do të përfshihen në këtë program pritet të paguhen me rreth 1000 lekë për orë.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:
