EMRI/ I dënuar në Itali me 5 vjet, arrestohet në Tiranë 51-vjeçari

Një 51-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Tiranë, me qëllim ekstradimi drejt Italisë.

Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, lokalizuan dhe vunë në pranga shtetasin Ylli Misku, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit Bologna e kishte dënuar në korrik të vitit 2022 me 5 vjet, 11 muaj e 14 ditë burg për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, dhe “Vjedhje në rrethana rënduese”.

Arrestimi u krye në bazë të kërkesës për ekstradim, me qëllim që ai të vuajë dënimin në Itali.