“Kush e bllokon integrimin?”/ Xhixho: BE nuk miraton raportin IBAR, Shqipëria pa asnjë kapitull të mbyllur

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke ngritur shqetësime për vonesat dhe mungesën e progresit.

Në postimin e saj, ajo shprehet se raporti IBAR, që lidhet me vlerësimin e kritereve për sundimin e ligjit, demokracinë dhe luftën ndaj korrupsionit, ende nuk është miratuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas saj, ky raport është i rëndësishëm për avancimin e negociatave dhe mbylljen e kapitujve.

Ajo përmend edhe skepticizmin e disa vendeve anëtare të BE-së, që sipas saj lidhet me mungesën e besimit ndaj progresit real në vend.

Në këtë kontekst, përmendet edhe situata e reformës në drejtësi dhe raste që, sipas saj, tregojnë probleme në zbatimin e saj.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, ajo sjell shembullin e Malit të Zi, i cili brenda një periudhe të shkurtër ka arritur të mbyllë disa kapituj negociues, ndërsa Shqipëria ende nuk ka arritur të mbyllë asnjë.

Ajo nënvizon se integrimi europian nuk lidhet vetëm me miratimin e ligjeve, por me zbatimin e tyre në praktikë dhe përmirësimin e standardeve në fusha të ndryshme që prekin jetën e qytetarëve.