Tiku i burgjeve dhe shuli i “hapur” i qelisë së Lalit
Një aksion i beftë i SPAK në Burgun e Durrësit me mandat kontrolli për mbajtjen e sendeve të paligjshme nëpër qeli (kryesisht telefonë celularë), është alarmi i parë se ka nisur ndryshim i madh në majën e kupolës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Në krye të këtij institucioni është emëruar Adriatik Kupi, një personazh tërësish periferik përsa i përket “formatit politik” në artikulimin e “arritjeve imagjinare qeveritare”, por person mjaft i rëndësishëm në konceptin se si funksionon Rilindja.
Ai njihet si mik i hershëm i Erion Veliajt, duke e kthyer kryesisht Njësinë Administrative Petrelë por edhe zona të tjera rurale të kryeqytetit në një “pashallëk personal”, në emërimin e zyrtarëve lokal, por mbi të gjitha punësimet dhe ndikimin e tij në OSHEE, ku për disa kohë shërbeu si Drejtor në Operatorin e Sistemit të Transmetimit në linjat e tensionit të lartë.
Tashmë “kabllot” janë një e shkuar pasi po shtrihen në çdo burg ku SPAK ka dërguar zyrtarët e lartë të pushtetit aktual. Kontrolli i Prokurorisë Speciale në Burgun e Durrësit nuk ishte rutinë. Në atë institucion të vuajtjes së dënimit përveç personave të tjerë ndodhen edhe dy “VIP-a” të mazhorancës, Erion Veliaj dhe Ilir Beqja. Kryebashkiaku që prej 13 shkurtit të vitit të kaluar është “banori i veçantë” i këtij burgu.
Në disa përgjime telefonike të SPAK, të cilat janë pjesë e çështjes gjyqësore, Veliaj ankohej se ushtronin kontrolle në qeli, e madje për këtë bënte përgjegjës “fshatarin Manja”, që do “ia fuste thonjtë në fyt”… Po ashtu vijoi me ankesa sa efektivët e policisë së këtij burgu i kishin cënuar privatësinë në një rast që kishte shkuar për vizitë tek mjeku.
Tashmë situata për të është kthyer në favor, për të hapur “shampanjën” sapo u njoftua se në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është emëruar Adriatik Kupi. Nëse shihen videot propagandistike të Veliaj gjatë kohës kur ishte në krye të Bashkisë Tiranë, çdo centimetër asfalt i hollë e i ngushtë i hedhur në “shtigjet” e fshatrave të Tiranës kishin praninë e Tikut. Miqësia mes tyre konfirmohet edhe nga vizitat e shpeshta në bashki dhe emërimin me firmën e Veliajt në krye të Njësisë Administrative Petrelë të kushëririt të parë të Kupit.
Pavarësisht aksionit të beftë në burgun ku vuan dënimin edhe “miku Tikut” nuk ka të dhëna për sendet e gjetura dhe inventarin e plotë të kontrollit. Nëse ka një urdhër nga lart që vetëm drejtorët e mëdhenj mund ta japin pa “telefon me kabëll”, mund të fshihen lehtë telefonët në zyrën e VIP-ave. Edhe agjentët e BKH-së nuk e kanë të lehtë të depërtojnë në kontrolle të befasishme.
Procedurialisht ata paraqiten në sportelin e burgut, japin të dhënat personale, dorëzojnë “mandatin e kontrollit” dhe pas disa minutave “procedurë ligjore” në zbatim të rregullores kanë të drejtën e ushtrimit të kontrollit. Kjo kohë është e mjaftueshme që “miqtë e të madhit” të lajmërohen në kohë për të hequr ose larguar sendet e paligjshme.
Vetë Lali është me “precedent” në këtë çështje, pasi përdorimin e telefonëve celularë në mënyrë të paligjshme e ka bërë edhe më parë, ku e pësoi edhe një gardian që e shoqëronte. Kohë e shkuar… Benefitet për Lalin dhe “lalët e tjerë” të Rilindjes edhe brenda qelisë kanë nisur të duken. Llozi i rëndë i qelisë që të përplaset para fytyrës tashmë nuk ka vlerë, pasi dyert janë të “hapura” për çdo kërkesë! / Nga Boldnews.al

