“Bashkitë më të forta, por më larg njerëzve”/ Elezi paralajmëron pasojat e reformës: Duhet diskutim i gjatë për modelin më të mirë
Në një lidhje në studio, deputeti i Partisë Socialiste, Ermal Elezi, foli për debatin që ka nisur mbi një reformë të re administrativo-territoriale dhe sfidat që e shoqërojnë këtë proces.
Ai u ndal fillimisht te rezultatet e reformës së kaluar, duke e lidhur atë me rritjen e kapaciteteve të pushtetit vendor dhe fuqizimin e bashkive.
“Reforma ka treguar që bashkitë u bënë më të afta për të ofruar shërbime dhe kanë më shumë autonomi financiare. Sot, sidomos bashkitë e mëdha, janë në gjendje të konkurrojnë për projekte të Bashkimit Europian.”-tha deputeti socialist.
Sipas tij, nevoja për një rishikim të hartës lidhet edhe me ndryshimet demografike, që po ndikojnë drejtpërdrejt në organizimin territorial.
Elezi pranoi se nuk ka një zgjidhje të thjeshtë, pasi çdo ndryshim sjell edhe dilema të reja, sidomos për raportin mes qytetarëve dhe përfaqësuesve vendorë.
“Nuk ka një formulë të artë. Sa më shumë zmadhohen bashkitë, aq më shumë lind problemi i afërsisë me qytetarët. Duhet diskutim i gjatë për modelin më të mirë dhe për të ruajtur demokracinë vendore.”-shtoi ai.
Në aspektin politik, ai u shpreh se procesi nuk mund të ecë me skenarë të gatshëm dhe se kërkohet përfshirje e gjerë.
Deputeti nënvizoi se një reformë e tillë kërkon bashkëpunim të plotë, jo vetëm mes palëve politike, por edhe me shoqërinë civile, duke e konsideruar ngritjen e një komisioni bipartizan si një hap në drejtimin e duhur.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

