'Ndërtimi ka zhvilluar ekonominë'/ Rama: E neveritshme që e fusin në kornizën e krimit
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se sektori i ndërtimit ka zhvilluar ekonominë e vendit. Në një takim me sipërmarrësit në vend theksoi se sektori i ndërtimit është dhe sektori që sulmohet më së shumti dhe që i hidhet baltë.
Rama theksoi se është e neveritshme që këtë sektor jetik të vendit e fusin në kornizën e krimit, duke i quajtur fjalët dhe akuzat si të pabaza.
“Disa kompani kanë raport shembullor me shtetin, në aspektin e taksave, sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe sot kanë bilanc rritjeje të qëndrueshme. Erdhëm këtu, si është rritur kompania, si sot në këtë kompani, ka vende pune të cilat paguhen njësoj si në Europë. Kam parasysh Europën fqinje, jo Francën e Gjermaninë. Nga ana tjetër, duke qenë se me ministren kemi dëshirë të flasim, se si ky transformim në sektorin e ndërtimit, mbështet rritjen e vet te ekonomia që rritet, e pamë të udhës që të shihnim edhe projektin. Për fat të keq, si çdo gjë në këtë vend që sulmohet kur shfaqet me sukses, sulmohet me baltë kur shfaqet si shenjë e së nesërmes, është sektor që merr goditje, sulme, baltë dhe që lëndon numër të madh protagonistësh të tij. Këtë transformim të Shqipërisë, që sektori i ndërtimit e bën të dukshëm, ta fusim në kornizën e krimit, është diçka e neveritshme dhe e papranueshme. Bashkia e Tiranës ka marrë 14 milionë euro taksë vetëm nga ky projekt. Nga ky projekt, kur të bëhet realitet, uniteti do fitojë çerdhen, kopshtit. Bashkia e Tiranës mund të fitojë edhe një shkollë. Në këto 14 milionë euro, janë edhe pjesa që shkon te 3 përqindshi i strehimit. Këto apartamente, nuk i blen dot asnjë i varfër, as një njeri me një pagë të ulët, por ama nga ndërtimi i këtyre apartamenteve, Bashkia e Tiranës merr 3 përqindëshin e strehimit. Ky projekt ka 350 apartamente të porositura vetëm nga diaspora shqiptare. Paguhen jo me cash, por me bankë. Është vetëm 1/3 e apartamenteve që ky kompleks do të ketë”, tha Rama.
