“Plumbi i Artë” dy vite në GJKKO, dëshmitë periferike zvarrisin procesin

Procesi gjyqësor i njohur si “Plumbi i Artë”, një nga çështjet më të rëndësishme të Prokurorisë së Posaçme kundër krimit të organizuar, po shqyrtohet me një ritëm të ngadaltë pasi po shoqërohet me shtyrje të vazhdueshme.

Çështja, e cila ka zbuluar disa nga grupet më të forta kriminale në vend dhe ku janë akuzuar dhjetëra persona për vepra penale që variojnë nga “grup i strukturuar kriminal”, deri te vrasje dhe vjedhje, po gjykohet prej më shumë se 15 muajsh pa një përfundim në themel.

Gjatë kësaj kohe, seancat janë shtyrë dhjetëra herë për arsye të ndryshme, përfshirë mungesën e avokatëve, kërkesa për përjashtim të trupës gjykuese dhe përplasje mes palëve në sallën e gjyqit.

Seanca e kësaj të enjteje, 9 prill 2026, nuk bëri përjashtim nga ky trend. Avokatja e të pandehurit Altin Ndoci, i cili është në arrati që prej 13 janarit, Elda Zotaj, ka kërkuar sërish përjashtimin e kryetares së trupës gjykuese, gjyqtares Engjëllushe Tahiraj.

Ajo u shpreh se në çdo seancë nuk janë marrë parasysh kërkesat e mbrojtjes dhe se janë kërkuar dëshmitarë për të provuar, sipas saj, pafajësinë e të pandehurit.

Pas deklarimeve, mbrojtja u largua nga salla e gjyqit, duke bërë që trupi gjykues të tërhiqej për vendimmarrje.

Në këto kushte, dhe për shkak të detyrimit ligjor për praninë e mbrojtësit, gjykata nuk mundi të vijonte seancën, duke e shtyrë atë për datën 16 prill, çka solli një tjetër vonesë në procesin gjyqësor.

Dëshmitarët periferikë

Edmond Bejkos iu desh të priste më shumë se një orë në hollin e Gjykatës së Posaçme, aty ku mëngjesin e së enjtes u shty për një orë seanca e radhës së “Plumbit të Artë”.

Ajo që e lidhte burrin rreth të 40-tave me një nga proceset më të bujshme të prokurorisë, nëpërmjet të cilës pretendohet se janë zbuluar të paktën 7 grupe kriminale që vepronin në vend, ishte një miqësi e hershme e tij me një prej të akuzuarve për vrasje, Petrit Qolin.

Dhe pse në dëshminë e tij Edmond Bejko nuk dha asnjë të dhënë të vlefshme për hetimin gjyqësor, Bejko dëshmoi përpara togave të zeza njohjen e tij me ish ndërtuesin Qoli, ndër 15 të akuzuarit e dosjes së “Plumbit të Artë”.

Ajo që rrëfeu Bejko para trupit gjykues ishte marrëdhënia që ai kishte pasur me Qolin 20 vite më parë, dhe se gjatë kësaj kohe ai nuk kishte pasur asnjë problem me të akuzuarin e drejtësisë.

“Përsa kohë kemi qenë miq bashkë, nuk kam pasur asnjë konflikt, dhe me sa di unë as ka pasur me njerëz të tjerë” – rrëfeu Bejko, dëshmi për të cilën po në sallën e gjyqit “meritoi” edhe mirënjohjen e të pandehurit Petrit Qoli.

Edmond Bejko ishte një ndër 60-të dëshmitarët e kërkuar nga Qoli, prej të cilëve familjarë, miq, politikanë apo njerëz të njohur të botës së medias, nëpërmjet të cilëve pretendon se do dëshmojnë në favor të tij.

Por kaq në mënyrë sipërfaqësore vijoi seanca edhe me dëshminë e Genta Gosës, bashkëshortja e të pandehurit tjetër Fatos Gosa, i akuzuar edhe për vrasjen e Andi Zylyfit.

Pas 26 vitesh jetese, edhe në sallën e gjyqit Genta i doli zot bashkëshortit të saj në lidhje me akuzat e ngritura nga prokuroria.

“Kur kam folur me familjarët (nënkupton familjen e Andi Zylyfit), i kam thënë se do të sjell dy çunat e mi në rast se Fatosi ka vrarë Andin” – dëshmoi në sallë Genta Gosa.

Shumë prej dëshmitarëve janë thirrur nga të pandehurit ose avokatët e tyre me qëllim për të provuar pafajësinë, por një pjesë e deklarimeve nuk lidhen drejtpërdrejt me ngjarjet kriminale objekt gjykimi, duke ndikuar në ngadalësimin e procesit dhe shtyrjen e seancave.

Megjithatë, edhe pas kësaj dëshmie, nuk u shënuan zhvillime që të ndryshonin rrjedhën e procesit, pasi deklarimet e tij nuk sollën elemente të reja për ngjarjet kriminale që janë në qendër të akuzave.

Në tërësi, dëshmitë e thirrura deri tani kanë ndjekur një model të ngjashëm: ose kufizohen në njohje personale, ose japin deklarime të përgjithshme, pa sjellë sqarime thelbësore për akuzat.

Procesi “Plumbi i Artë” ka përjetuar ndërprerje të shpeshta për shkak të mungesës së avokatëve. Nga korriku deri më 14 tetor, nuk janë zhvilluar 8 seanca për këtë arsye, duke krijuar një ngërç në vijueshmërinë e procesit.

Gjykata e Posaçme ka deklaruar se po merr masa për garantimin e vijueshmërisë së procesit.

“Konkretisht, janë caktuar avokatë kryesisht për të gjithë të pandehurit (përveç Albert Pashajt), janë paralajmëruar dhe gjobitur avokatët që kanë munguar pa arsye, si dhe janë pezulluar afatet e paraburgimit – thuhet në përgjigje të kërkesës për informacion të Gjykatës së Posaçme.

Çështja, e konsideruar si një nga dosjet më komplekse të drejtësisë shqiptare, po gjykohet prej më shumë se një viti, me një numër të madh të pandehurish dhe akuzash që përfshijnë vrasje, tentativa vrasjeje, shpërthime me eksploziv dhe vjedhje me dhunë.

Procesi gjyqësor për dosjen “Plumbi i Artë” vijon prej gati dy vitesh në Gjykatën e Posaçme. Në këtë proces, SPAK u ka dhënë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumanit, Skerdi Tases dhe Erjon Alibej. Ndërsa Henrik Hoxhaj e humbi këtë status pasi SPAK konstatoi se ai nuk kishte rrëfyer të gjitha vrasjet ku kishte marrë pjesë, disa prej tyre të kryera bashkë me Nuredin Dumanin, si dhe kishte fshehur identitetin e disa porositësve. /Shteg.org