Propozimi i mazhorancës për ndryshimin e kalendarit të Kuvendit, Tabaku: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, rasti më flagrant që këtu…
Në konferencën e kryetarëve, opozita kundërshtoi futjen në rendin e ditës të Kuvendit të ndryshimeve në rregullore.
Përpara Kuvendit, deputetja e PD Jorida Tabaku tha se mazhoranca ka thënë që pret zbardhjen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa tha se bashkëjetesa në parlament është shkelur me dy këmbë.
Ajo pohoi që rregullorja duhet të ketë ndryshime konsensuale.
“Në konferencën e kryetarëve ne nuk ramë dakord për kalendarin, për një arsye të thjeshtë. Aty, mazhoranca propozoi që të prezantohen edhe ndryshimet e rregullores pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pas shkeljes së Kushtetutës që kryetari i Kuvendit ka kryer.
Nuk e di çfarë informacioni ka mazhoranca që GJK do të zbardhë vendimin. Ne nuk ramë dakord për të kryer një seancë shtesë në javën e gjelbër vetëm me justifikimin që GJK do të zbardhë këtë vendim. Ndryshimet e rregullores, të cilat PD i dërgoi në GJK me një vendim që i dha të drejtë opozitës për shkeljet e rregullave të Parlamentit, janë rasti më flagrant që bashkëjetesa në këtë Parlament është shkelur me dy këmbë.
Ndryshimet e reja të prezantuara nga PS shkelin edhe të drejtat e komisioneve dhe kryetarëve të komisioneve të opozitës dhe nga ana tjetër krijojnë një superkomision, sikur po ndahen vilajete këtu në Parlament, njëri i nënës dhe të tjerët të njerkës.
Nëse GJK nuk e zbardh vendimin, ne do të vazhdojmë me kalendarin, me javën e gjelbër në javën e tretë të prillit”, tha ndër të tjera Tabaku.
