Rishikimi i praktikës për arrestin në burg, nis seanca gjyqësore para Kolegjeve të Bashkuara
Gjykata e Lartë rishikon sot praktikën gjyqësore për aplikimin e masës së sigurisë arrest me burg.
Kolegjet e Bashkuara do të mblidhen në orën 9:30 me iniciativë të kryetarit Sokol Sadushi për nisjen e procedurës për ndryshimin e pjesshëm të praktikës së njësuar të vitit 2011 mbi masat e sigurimit personal.
Sipas njoftimit publik, qëllimi është të sigurohet një praktikë gjyqësore më e njëtrajtshme dhe në përputhje me standardet kushtetuese, ligjore dhe ato të Konventës Evropiane për kufizimin e lirisë personale.
Nga ana tjetër kjo iniciativë shënon ushtrimin për herë të parë, të kompetencës së Kryetarit të Gjykatës së Lartë, sipas nenit 438 të Kodit të Procedurës Penale për ndryshimin e pjesshëm të një praktike të njësuar.
Prokuroria: Duke qene se çështja është ende në fazën e hetimeve paraprake mendoj që duhet me dyer të mbyllura.
Avokati i te ndaluarit: Çështja që paraqitet për vendim unifikues ka interes publik.
Kolegji u tërhoq për të marrë vendim nëse seanca do të zhvillohet e hapur apo me dyer te mbyllura dhe vendosi që senaca te zhvillohet me dy faza, ku e para që do të jetë publike ka të bëjë me ndryshimet ligjore.
Çështjet që shtrohen për shqyrtim përpara Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë
Në funksion të objektit të këtij vendimi të ndërmjetëm që lidhet me ushtrimin nga Kryetari i Gjykatës së Lartë të nismës për ndryshimin e pjesshëm të praktikës së njësuar, dhe me qëllim që shqyrtimi përpara Kolegjeve të Bashkuara të jetë i qartë dhe metodologjikisht i rregullt, shtrohen për zgjidhje këto çështje:
1. Në interpretim të neneve 228 dhe 230 të KPP, a është në përputhje me këto dispozita dhe me nenin 5 § 3 të KEDNJ qëndrimi sipas të cilit, kur kërkohet ose vendoset masa e “arrestit në burg”, gjykata nuk ka detyrim të analizojë realisht masat alternative dhe mjafton të arsyetojë se masa e zgjedhur prej saj është e përshtatshme për rastin konkret?
2. Në interpretim të neneve 228 dhe 230 të KPP, a mund të nxirret “rrezikshmëria e veçantë e veprës dhe e të pandehurit”, si kriter për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” vetëm ose kryesisht nga natyra e veprës penale, nga rëndësia e saj e përgjithshme ose nga marzhi i dënimit, pa një vlerësim konkret dhe të individualizuar të rrethanave të rastit dhe të personit?
3. Kujt i takon barra e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e masës së “arrestit në burg” dhe a është në përputhje me nenin 5 § 3 të KEDNJ dhe me nenet 228-230 të KPP qëndrimi sipas së cilit papërshtatshmëria e kësaj mase mund të pranohet vetëm nëse i pandehuri paraqet prova pozitive?
